Një anije e marinës italiane sot mbërriti në portin e Shëngjinit, duke sjellë në Shqipëri tetë emigrantë të kapur në ujërat ndërkombëtare e që do të mbahen në qendrat e pritjes gjatë shqyrtimit të kërkesave të tyre për azil. Hera e dytë që Italia dërgon emigrantë në Shqipëri që kur dy qendrat e pritjes filluan punë në tetor, sipas një marrëveshjeje mes dy vendeve.
Fillimisht, Italia dërgoi në Shqipëri një grup prej 16 emigrantësh nga Bangladeshi dhe Egjipti muajin e kaluar. Katër prej tyre u kthyen në vendin fqinj brenda pak orëve si të mitur dhe se kishin probleme shëndetësore. Ndërkaq, 12 të tjerët u kthyen mbrapsht tri ditë më vonë, kur një gjykatë në Romë urdhëroi që të mos mbahen në Shqipëri për shkak se vendet e tyre të origjinës, Bangladeshi dhe Egjipti nuk u njohën si “të sigurta”.
E zemëruar me këtë vendim, kryeministrja Giorgia Meloni vendosi të përditësojë statusin ligjor në listën e vendeve të sigurta, duke e bërë aktin ligjor në vend, “dekret ministrial”, me besimin se kjo e vështirëson për gjykatat t’i sfidojnë vlefshmërinë.
Anija e marinës italiane “Libra” u ankorua në Portin e Shëngjinit rreth orës 08:00 të mëngjesit dhe emigrantët u vendosën në qendrën pritëse, që t’i nënshtrohen verifikimit e kontrollit mjekësor para dërgimit në kampin e Gjadrit. Mjeti lundrues që mund të transportojë deri në 200 vetë krahas ekuipazhit, e nisi lundrimin të mërkurën e 6 nëntorit nga ishulli Lampedusa, me vetëm 8 emigrantë.
Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme të Italisë, Francesco Kamel, e pati konfirmuar nisjen e anijes drejt Shqipërisë, por nuk dha më shumë hollësi. Mediat italiane raportuan se nga 1.200 emigrantë që shkuan në ishullin Lampedusa dy ditët e fundit, vetëm 8 të rritur që udhëtuan pa familjet e tyre i plotësuan kriteret e Shqipërisë, përfshirë faktin që vijnë nga vende “të sigurta” për riatdhesim.
Shqipëria dhe Italia arritën marrëveshje nëntorin e kaluar për strehimin e emigrantëve. Akordi i kritikuar nga organizatatat për të drejtat e njeriut, përcakton që Shqipëria të pranojë deri në 36 mijë emigrantë në vit. Aplikimet e azilit do të procesohen në dy qendra në territorin tonë. U tha se marrëveshja 5-vjeçare do t’i kushtojë 160 milion euro në vit Italisë.
Procedurat kryhen në dy qendra. E para në Shëngjin do të përdoret për identifikimin dhe e dyta në Gjadër, rreth 20 kilometra larg portit, për strehimin e emigrantëve derisa të procesohen kërkesat për azil. Qendrat do të funksionojnë sipas ligjit italian, me staf italian të sigurisë ndërsa seancat, gjyqtarët do t’i mbajnë përmes video-lidhjes nga Roma. Italia u shpreh se do të pranojë t’i strehojë emigrantët që fitojnë azil. Ata që nuk marrin azil pritet të dëbohen direkt nga Shqipëria.