Tech

Mbërrin për pak ditë Samsung Galaxy i ri, çfarë duhet të dini!

Samsung ka njoftuar se do të zbulojë një Galaxy të ri më 21 tetor, por emri i produktit ende nuk është zbuluar. Supozohet se pajisja e re mund të jetë Galaxy Z Fold Special Edition, i cili është përfolur prej disa kohësh. Por, ende nuk është konfirmuar nëse emri zyrtar do të jetë pikërisht ai apo Galaxy Z Fold6 Special Edition.

Videoja më poshtë sugjeron që Galaxy i ri është aq i hollë sa mund të futet në një zarf. Sipas një raporti të GSMArena, thuhet se Samsung Galaxy Z Fold i ri do të jetë 4.9 mm i trashë kur është i hapur dhe 10.6 mm kur paloset.

Thuhet se pajisja do të ketë një çip Snapdragon 8 Gen 3, një kamerë kryesore 200 MP dhe certifikim IP48. Ekrani i jashtëm thuhet se do të ketë një diagonale prej 6.5 inç, ndërsa ekrani i palosshëm do të jetë 8 inç. Me prezantimin që vjen javën e ardhshme, së shpejti do të mësojmë të gjitha detajet në lidhje me këtë smartphone të ardhshëm.

Së fundmi, Samsung kërkoi një falje të rrallë pasi tha se kishte vetëm 6.78 miliardë dollarë fitim operativ për tremujorin e fundit, rreth 900 milionë dollarë më pak se pritjet e analistëve. “Ne kemi shkaktuar shqetësime në lidhje me konkurrencën tonë teknologjike dhe të ardhmen e kompanisë për shkak të performancës sonë që bie poshtë pritshmërive të tregut”-thuhet në deklaratën që i atribuohet zëvendësdrejtorit të Samsung, Jun Young-hyun.

“Shumë njerëz po flasin për krizën e Samsung. Ne, që drejtojmë biznesin, jemi përgjegjës për të gjitha këto”-shtoi ai. E ashtuquajtura “krizë” bëri që kompania të nxiste një javë pune gjashtë-ditore për drejtuesit në fillim të këtij viti. Ky ndryshim erdhi pasi Samsung publikoi rezultate jo të mira financiare gjatë gjithë vitit 2023, të shkaktuara nga rritja e konkurrencës dhe një reduktim i kërkesës për çipa që pasuan nivelet më të larta të pandemisë.