Aktualitet

Mbërrin në Durrës anija me 2100 tonë mbetje, ende nuk ka hyrë në port!

Një anije e ngarkuar me 2100 tonelata mbetje industriale e që dyshohet se përmbajnë lëndë të rrezikshme sot mbërriti në Portin e Durrësit, rreth orës 07:30.  Ngarkesa që besohet se përmban mbetje nga hiri i oxhaqeve metalurgjike, në korrik të këtij viti ishte nisur nga Shqipëria me destinacion Tajlandën. Por shteti tajlandez e refuzoi pas alarmit të dhënë nga organizata joqeveritare “Rrjeti i Aksionit të Bazelit” me seli në Seattle të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Pas tre muajve lundrim në det, deri në Azinë e largët, kontejnerët mbërritën të ngarkuar në një anije të nisur nga Gioia Tauro në Itali. Ende nuk është planifikuar se kur do të hyjë në port, ndaj mjeti lundrues “Moliva” po pret në radën e jashtme.  Nuk është e qartë se si do të veprohet në këtë rast nga autoritetet shqiptare, të cilat thanë se, përsa kohë çështja është nën hetim, i takon Prokurorisë të përcaktojë procedurat që do të duhet të ndiqen.

Pluhuri i dyshuar, i njohur me siglën EAF, përmban përqindje të lartë metalesh si plumbi dhe kromi dhe mbetje të tjera kimike që shkaktojnë sëmundje kancerogjene. Ngarkesa u nis në muajin korrik nga porti shqiptar, si pjesë e një marrëveshjeje eksporti të kompanisë shqiptare “Sokolaj”, e cila i kishte blerë mbetjet nga Kurumi, prodhues i çelikut dhe hekurit, në mjediset e ish-Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit.

Dje Partia Demokratike zhvilloi një protestë pranë Portit të Durrësit. Demokratët kërkojnë transparencë me atë se çfarë do të bëhet me këto mbetje. Opozita tha se “aty transportohen mbetje toksike”. Protestuesit bllokuan dy anët e rrugës së hyrjes në port, se sipas tyre, “mbërritja e mbetjeve përbën rrezik për shëndetin e qytetarëve”.

Në fjalën e tij, nënkryetari i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi  deklaroi se “mbërritja e këtyre mbetjeve në Portin e Durrësit, e kthen atë në një skenë krimi” dhe se “prokuroria duhet të jetë aty për të sekuestruar kontenierët”.

Nëse nuk do të kishin reaguar organet e shteteve të tjera, nuk do të merrnim vesh gjë. Ato do të vinin dhe të groposeshin pa asnjë dijeni për qytetarët. Ky është model kriminal qeverisës dhe është detyra jonë qytetare të reagojmë fort për të gjithë ata që kanë lidhje me këtë skandal. Kjo është një skemë krimi gjigante dhe ky port është përbashkues i interesave të politikës dhe krimit, deklaroi Oerd Bylykbashi.

Ambientalisti Sazan Guri bëri thirrje të kryhen analizat për mbetjet toksike që do të ankorohen në Portin e Durrësit, pasi sipas tij, “analiza do të tregonte se ku mund të groposen mbetjet ose nëse duhen pranuar apo jo”.