Live From Tirana Tech

“Mbajini larg diellit…”/ Brenton Bënja jep këshillat e tij se si të ruajmë telefonat tanë gjatë verës!

I ftuar në “Live from Tirana” ishte gazetar i teknologjisë Brenton Bënja, për të folur rreth risive më të fundit të botës së smartphones. Të gjithë e dimë si t’i përdorim, janë tashmë një pjesë kryesore e eksperiencës së shekullit të 21. Por, a e dimë se si të kujdesemi për to?

A kanë njerëzit vëmendjen e duhur përsa i përket kujdesit të smartphone?

Kohët e fundit nuk është më aq e nevojshme sa ka qenë, sidomos për probleme si nxehja, sepse tani kanë sensorë që sapo arrin një temperaturë të caktuar, nuk të lënë të vazhdosh të punosh më. Temperatura optimale e telefonit është 0 deri në 35 gradë. Në Shqipëri, nuk na bie të shkojmë poshtë 0 gradë, por me këtë vapë që po shikojmë këtë verë, duhet të kemi kujdes se si i përdorim, ku e lëmë dhe si e karikojmë.

Si duhet t’i mbrojmë?

Hapi i parë është të mos i mbajmë në diell. Për shembull, nëse jeni në plazh, mundohuni ta përdorni në hije dhe jo për kohë të gjata. Së dyti, duhet të përdorni airplane mode më shumë. Airplane mode i thotë telefonit se është koha për të fjetur dhe qetësuar, është shumë e mirë për të. Shumë procese të tij deaktivizohen dhe i lehtësohet shumë barra. Mbi të gjitha, ti akoma mund ta përdorësh për të bërë foto. Nuk është e njëjta gjë me work mode ku mund ta vendosësh që telefoni të ketë vetëm dridhje nëse të vjen një mesazh. Ajo nuk e vendos telefonin në gjumë, nuk janë e njëjta gjë. Kasat janë gjithashtu diçka për t’u konsideruar. Nëse keni një kasë të madhe, zëvendësojeni me një më të vogël plastike ose përdoreni telefonin pa kasë. Kasat e mëdha, nën dritën e diellit, rrisin artificialisht temperaturën e tij. Së fundmi, lereni telefonin të ftohet gradualisht. Nëse ju nxehet shumë dhe ju jep një njoftim, lereni të ftohet natyralisht.

A vlejnë këto këshilla për laptopët dhe kufjet?

Për kufjet ndoshta jo aq shumë, por laptopi ka akoma risk më të madh. Laptopi ka një bateri më të madhe, punon më fort, prodhon më shumë nxehtësi dhe ka një ekran më të madh. Nëse përdoret vazhdimisht në temperatura të nxehta, performanca e tij do të bjerë shumë. Janë më delikatë se telefonat në këtë aspekt. Gjithmonë lereni në hije, si për shembull në pjesën e poshtme të sediljes së pasagjerit. Kurse kufjet nuk janë aq delikate, megjithatë, çdo gjë e ekspozuar ndaj diellit vuan prej tij.

Shumë smartphone kanë pikë shitje aftësinë e tyre për t’u përdorur nën ujë, por jo të gjithë kanë një të tillë. Si mund t’i shpëtojmë ato?

Shumica e smartphones kanë disa kritere që lejojnë përdorimin e telefonit në ujë deri në një metër e gjysmë thellësi dhe deri në 30 minuta. Telefona të Apple, Samsung dhe kompanive të tjera të mëdha mund ta arrijnë këtë, por jo në det. Kripa është armiku numër një, shumë pajisje teknologjike nuk janë të ndërtuara për ta përballuar atë. Sa i përket orizit, funksionon vetëm për nivele lagështie të vogla. Funksionon në shumë raste të pakta.