Mijra njerëz u mblodhën në Zelandën e Re për të ndjekur nga afër koncertin më të madh muzikor, që prej izolimit nga pandemia e koronavirusit në mars të vitit të kaluar. Fansat ndoqën performancën e grupit “Six60” në stadiumin “Waitangi”, teksa në skenë shfaqeshin imazhe që i kujtonin botës atë që ishte para epokës së COVID-19.
Të rinjtë pa maska ngjesheshin pas njëri-tjetrit dhe të tjerë këndonin më zë në skenat e pazakonta përtej oqeanit. Këngëtari Chris Mac i “Six60” ironizoi distancimin fizik, teksa njerëzit i afroheshin gjithnjë e më shumë. Koncerti erdhi teksa alarmi i koronavirusit në Zeandën e Re u ul në nivelin 1, që është masa minimale.
Zelanda e Re është një nga vendet më pak të prekura nga koronavirusi në botë, ku vendasit nuk janë të detyruar të ruajnë distancë fizike apo të mbajnë maskën mbrojtëse në mjedise të hapura.