Aktualitet Politikë

Mazniku: Rritje e pagave në të gjitha bashkitë!

Qeveria miratoi rritjen e pagave për punonjësit në të gjitha bashkitë e vendit. Në një konferencë për mediat pas mbledhjes së ekzekutivit, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku u shpreh se “pagat e pushtetit vendor do të unifikohen në të gjitha bashkitë”.

Sot konkluduam një proces të rëndësishëm, i cili nisi që vitin që shkoi me dialogun vendor dhe më pas u dakordësua me të gjitha bashkitë e që ka të bëjë me pagat e pushtetit vendor. Kjo është reformë strukturore që merret me ristrukturimin e bashkive dhe stafeve të tyre në tre grupime të mëdha.

I pari, një grupim që merret me planifikimin dhe monitorimin e politikave, një grupim që merret me funksionet që bashkia i kryen vetë dhe një grupim që bën ato funksione që bashkitë zgjedhin t’i bëjnë vetë apo t’i kontraktojnë.

Po ashtu, ministri vuri në dukje se përmes këtij vendimi u riklasifikua niveli i pagave, duke ndryshuar skemën.

Nga një skemë e cila i ndante bashkitë në pesë grupime e në varësi të madhësisë së bashkive kishte nivele të ndryshme, në nivele pagash të unifikuara të të gjitha bashkive pavarësisht madhësisë.

Kjo duke dhënë mundësinë që një jurist, një arkitekt, ekonomist, etj, të marrë një pagë të ngjashme në të gjitha bashkitë. Elementi tjetër është rritja e pagave të të gjitha bashkive dhe rritja e minimumeve e maksimumeve të reja për bashkitë në nivele të unifikuara.

Ne unifikojmë pagat për punonjësit e bashkisë në të gjithë vendin. Ky vendim do t’i japë mundësi bashkive të tërheqin nga tregu profesionistë duke kontribuar në mënyrë efikase.

Sot në mbledhje qeverie u morën dhe vendime të tjera si miratimi i ndryshimeve në ligjin “Për urdhrin e mjekut” në Republikën e Shqipërisë e që parashikon regjistër elektronik për mjekët në publik e privat, si dhe për oraret e administratës.

Këshilli i Ministrave i dha “ok”-ein dhe vendimit mbi miratimin e rregullave për kohëzgjatjen e punës e pushimit, orët shtesë e kompensimin e tyre në institucionet e administratës shtetërore, institucionet të pavaruara dhe njësitë e qeverisjes vendore. Prezantimi i vendimeve u bë nga ministret Albana Koçiu e Adea Pirdeni.