“Njerëzit e pasigurt janë të rrezikshëm” – thotë personazhi i Julianne Moore në filmin më të ri të Todd Haynes prezantuar në festivalin e filmit në Kanë vitin e kaluar. Të mësuar me dramat e regjisorit Haynes, “May December” sidoqoftë është edhe më i errët se ç’mund ta kishit menduar. Përkundër Moore, Natalie Portman është gjithashtu njëra nga protagonistet e një filmi i cili të lë në vështirësi për të përtypur historinë që ka treguar. Stilitikisht frymëzuar nga Ingmar Bergman, me një kolonë zanorë të pakoordinuar qëllimisht me montazhin dhe me disa afrime [të forta e të gjata] të kameras në portrete që të kujtojnë telenovelat meksikane, ky film është frymëzuar (edhe pse nuk është pohuar kurrë me zë të lartë) në një histori të vërtete, duke e bërë shikimin e tij edhe më të vështirë.
Julianne Moore interpreton Gracie Atherton-Yoo, një grua me karakter kontrollues, disi neurotike, një figure që Moore e ka luajtur në të shkuarën dhe i rri mirë. Gracie është e martuar me një djalë shumë më të ri se vetja – Joe (Charles Melton), jeton në Calabasas, California. Duket se bashkëshorti paguan gjithçka për ta, edhe pse ajo është një lloj Martha Stewart e lagjes – bën torta dhe ua shet komshijve.
Martesa e tyre, fillimisht në dukje normale, është në fakt një nga skandalet më të mëdha të tabloidëve amerikanë në vitet ‘90, kur një mësuese e shkollës 9 vjeçare, në të 30-tat do të binte në dashuri me nxënësin e saj 13 vjeç. Ajo e quan dashuri, ligji e quan abuzim me të mitur, shoqëria e quan një skandal të papërtypshëm. Pak rëndësi kishte kjo për Grace, e cila përpos të gjithave, la bashkëshortin e saj dhe fëmijët e tyre për të filluar një familje me 13 vjeçarin, me të cilin nga mosha 13 deri 17 vjeç do të kishte tre fëmijë – duke lindur njërin prej tyre brenda burgut ku do të kalonte vite si Pedofile e dënuar.
Një histori filmash. Një histori që zgjon interesin e aktores Elizabeth Berry (Natalie Portman) për të takuar Gracien e vërtetë, në mënyrë që në filmin që do të bëhej për historinë e saj, pak të thuash, e pazakontë, portretizimi të ishte sa më i plotë dhe autentik. Kështu Berry shkon në familjen e Atherton-Yoo dhe nis të qërojë qepën e kësaj drame sfilitëse. Sa më shumë kohë kalon me personazhin, këpucët e së cilës do të vishte, aq më tepër kupton thellësinë e ndjenjave, gënjeshtrave, psikopatisë që rrethon atë. Joe, tashmë i rritur, me dy fëmijë që po i çon në universtiet sa ka filluar të kuptojë rëndesën e asaj që ka ndodhur kur ishtë vetëm një fëmijë. Sa më shumë e shikon filmin, aq më shumë pikëpyetja në kokë të bëhet më e madhe.
A mund të ketë dashuri erotike mes një njeriu të rritur dhe një fëmije? Po sikur Gracie të ishte burrë dhe Joe grua, sa më shumë do të gjykohej historia? Si është e mundur e gjitha kjo?
Një film i mirë bërë – që nuk e shterron historinë, për të cilën harxhon po aq kohë sa t’u desh për ta parë, duke kërkuar për sa e vërtetë është kjo që sapo pe. A mos vallë Haynes ka çuar provokimin e tij artistik përtej…
Gracie – siç Julianne Moore ka pranuar – është frymëzuar nga Mary Kay Letourneau, edhe pse historia e saj, sipas skenaristit (Samy Burch) dhe regjisorit nuk është ajo e filmit. Moore ka thënë se ngjashmëria ishte e rëndësishme për të dhe se Letourneau ishte pika e saj e referencës për ta luajtur rolin.
Letourneau një mësuese 9-vjeçareje në Seattle ishte në faqet e para të gazetave dhe edicioneve informative në 1997, kur u dënua për përdhuminim e Vili Faulaau, një 12 vjeçari në klasën e saj. Ajo ishte 34 vjeç. Dyshja do të kishin dy fëmijë [dy vajza] me njëri-tjetrin para se Vili të mbushte 15 vjeç, njëri prej të cilëve lindi në burg, ndërsa Mary Kay ishte duke vuajtur dënimin 7 vjet heqje lirie. Në 2004, Fualaau, tashmë i rritur, kërkoi heqjen e masës së mbrojtjes për të në mënyrë që të martohej me Mary Kay-n në 2005, një martesë që zgjati për 14 vite, deri kur u ndanë në 2019. Një vit më vonë, gruaja u nda nga jeta pas një beteje me kancerin. Ishte 54 vjeçe.
Kush Ishte Mary Kay Letourneau?
Lindur më 1962 në Tustin, Caifornia, babai i saj John Schmitz ishte një profesor filozofie dhe politikan, i cili pati një mandat në kongresin amerikan. Për të thuhej se ishte tmerrësisht strikt dhe konservator, të paktën kështu dukej në publik, deri në 1982 kur doli se kishte 2 fëmijë me një grua tjetër, e cila ishte studentja e tij në universitet.
Bashkëshortin e saj të parë, Mary Kay e njohu në Universitetin Shtetëror të Arizonës, ku të dy studionin. Bashkë patën 4 fëmijë. Ata jetonin në periferi të Seattle, një qytezë e quajtur Normandy Park, aty ku Letourneau jepte mësim në shkollë. Një muaj mbasi lidhja e tyre kishte filluar të konsumohej – për të cilën Fualaau ka thënë “E doja, nuk doja të ndaloja”, ishte bashkëshorti i Mary Kay që pasi gjen letrat [sekrete] eksplicite të dashurisë mes të dyve bën kallëzimin në polici [i shokuar]. Ai nuk e dinte që e shoqja priste një fëmijë me 12 vjeçarin – një fëmijë që ajo ishte e sigurt ta mbante, dhe një raport që ishte e vendosur ta mbronte, sado jo-ligjore, aspak morale dhe absurde të dukej.
Janë disa intervista të tyret në YouTube që ju sugjeroj ti shihni.
Tronditëse sa mund të jetë e gjitha, është e jashtëzakonshme së çfarë disa njerëz mund të quajnë dashuri, apo se deri ku mund të shkosh për këtë të fundit.
“May December” është në Netflix.