Aktualitet Politikë

Maxhoranca abstenon, mandati i deputetes së PS, Olta Xhaçka, nuk shkon në Kushtetuese!

Partia Socialiste ka abstenuar për një vendim të Gjykatës Kushtetuese për t’i dërguar asaj çështjen e mandatit të mandatin e deputetes Olta Xhaçka.

Pas një seance maratonë, gjatë procesit të votimit 25 deputetë të opozitës kanë votuar pro dërgimit të çështjes në Kushtetuese, 65 deputetë të shumicës kanë abstenuar, ndërsa nëntë të tjerë, po nga maxhoranca, kanë votuar kundër.

Në përfundim të votimit, kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali tha se nga dita e nesërme do t’i drejtohet Komisionit të Venecias.

“Kuvendi ka zbatuar gjithë procedurën parlamentare për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, meqenëse ky vendim nuk miratohet, pasi nuk arriti shumicën e kërkuar, që nesër si kryetare e Kuvendit do ti drejtohem komisionit të Venecias për të marrë një mendim të specializuar mbi standardet e zbatueshme në vendimmarrjet e pushtetit legjislativ, raportin dhe konkurrueshmërinë e parimeve të parashikuara në të drejtën kushtetuese dhe për rastet e papajtueshmërisë së mandatit të deputetit”, tha Spiropali, teksa ky qëndrim i socialistëve irritoi opozitën.

Çfarë tha Gjykata Kushtetuese?

Mandati i Olta Xhaçkës duhet të shqyrtohet pa vonesa në Gjykatën Kushtetuese dhe deputetët janë të detyruar ta dërgojnë atë sa më shpejt, tha Gjykata Kushtetuese në vendimin e marrë më 10 korrik 2024 ku shfuqizoi vendimin e parlamentit i cili refuzonte dërgimin në këtë gjykatë të mocionit të opozitës për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka.

Në muajin prill, socialistët e interpretuan votën e tyre me faktin se pavarësisht se vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të detyrueshme për zbatim, deputetët, sipas kushtetutës janë të lirë në vendimmarrjen e tyre. Por me vendimin e 10 korrikut iu bë e qartë Kuvendit se nuk mund kurrsesi të vërë në diskutim fuqinë detyruese të vendimeve të saj.

Çështja “Xhaçka” ka nisur që prej qershorit të vitit 2022, kur opozita kërkoi heqjen e mandatit të saj me argumentin se deputetja socialiste është në konflikt interesi për shkak të titullit investitor strategjik që bashkëshorti i saj gëzon me vendim qeverie.