Maturantët përzgjodhën në raundin e parë të aplikimeve 10 programe studimi. Ajo që mund të thuhet me siguri tani është se maturantët i kanë sytë nga Teknologjia e Informacionit dhe Inxhinieritë. Në vendin tonë po formësohet vit pas viti brezi digjital.
Arjan Xhelaj, Drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar shprehet: “Këtë vit aplikuan në portalin U-Albania 19 mijë e 700 maturantë, për një program studimi në universitetet publike dhe jopublike të vendit. Interesi mbetet I pandryshuar, njësoj me atë të vitit të shkuar. Kryesojnë degët e Inxhinierisë, Teknologjisë dhe Informatikës, me rreth mbi 28-29%. Dhe IT-ja në vetvete ka mbi 14% që është një indikator shumë I mirë që maturantët po orientohen drejt teknologjive. Të ndjekura pastaj nga Shkencat Mjekësore dhe Infermieria që shkojnë ne rreth 22%.
Në vendin e tretë renditen degët klasike, Shkencat Ekonomike me rreth 16%, dhe më pas renditen Juridiku etj. Një ecuri të mirë patën edhe degët që lidhen me Mësuesinë. Duhet parë se sa prej këtyre maturantëve plotësojnë kriterin e mesatares prej 7.5. Kemi rreth 7.3% të aplikimeve që lidhen me Mësuesinë. Kjo është një ecuri e mire, do të thosha.
Një ecuri shumë të mirë sivjet kanë patur programet 2-vjeçare universitare, të cilat përbëjnë mbi 10% të aplikimeve. Menjëherë pas 2 viteve maturantët, ose më saktë profesionistët e rinj, kanë mundësi të futen në tregun e punës.
Që në fillim të kësaj jave universitetet që kanë konkurse filluan me shkarkimin e të dhënave mund të përmendin Mjekësinë e Përgjithshme, Arkitekturën, Universitetet e Sporteve, Arteve dhe ato jopublike që kanë degë të këtyre profileve. Ato do të bëjnë publike listat e maturantëve dhe ditët e konkursit, ndaj maturantët duhet të jenë shumë të vëmendshëm këto ditë që të vizitojnë websitet e këtyre universiteteve apo fakulteteve përkatëse dhe të shikojnë listat e nxjerra nga fakulteti dhe ditën kur do të paraqiten për test.