Aktualitet

Matura Shtetërore, propozohen përmirësime!

Pas problemeve të hasura me provimin e Matematikës në Maturën Shtetërore, Ministria e Arsimit dhe Sportit ngriti një grup pune për të analizuar të gjithë procesin, aktet ligjore e nënligjore, rregulloren. Qëllimi i kësaj nisme ishte të zbulonte elementet e nevojshme që duhet të ndryshojnë, për të shërbyer përtej përmirësimit të testeve apo administrimit më të mirë të procesit. Puna e bërë synon t’i paraprijë vitit të ardhshëm dhe Maturës 2022-2023, për të pasur një reformë ose disa ndryshime rrënjësore që do ta përmirësojnë këtë proces.

Raporti i gjetjeve u prezantua në një takim në Ministrinë e Arsimit, ku morën pjesë ministrja Evis Kushi, përfaqësues të këtij dikasteri dhe drejtues të institucioneve të varësisë në Arsimin Parauniversitar. Gjetjet e analizës së kryer nga grupi i punës në lidhje me Maturën Shtetërore ka diktuar nevojën për disa ndryshime dhe përmirësime.

Ndryshimi i parë që është propozuar nga ministrja e Arsimit dhe Sportit bazuar në këto gjetje është pilotimi i një testi elektronik për maturantët që zgjedhin programin Mjekësi e Përgjithshme, me objektivin që në vitet e ardhshme të mund të shtrihet në të gjitha provimet e maturës. Ky testim, mendohet të jetë në formatin e provimeve të licencave i cili organizohet nga QSHA.

Ministrja Kushi nënvizoi:

Qëllimi i këtij testimi është nxitja e mëtejshme e meritokracisë, shmangia e fiktivitetit të mundshëm në vlerësimin e tre viteve të mëparshme nga shkolla të ndryshme të vendit, por edhe gjatë provimit të Maturës. Fondi i pyetjeve natyrisht lidhet me lëndët kryesore që të çojnë drejt programeve të Mjekësisë dhe bëhet një renditje tjetër në bazë të rezultateve që kanë maturantët nga ky testim.

Pika e dytë e propozuar lidhet me shfuqizimin e nenit që ndalon rivlerësimin e testit në Rregulloren e Maturës Shtetërore.

Ne nuk jemi të pagabueshëm, sepse kur themi që nuk ka rivlerësim të testit kjo nënkupton që ne jemi të pagabueshëm. Nuk ka mësues të pagabueshëm, vlerësues të pagabueshëm. Ne propozojmë që ta rishikojmë këtë pikë. Të gjithë jemi të vetëdijshëm që rivlerësimi i testit do të kërkonte shumë kohë, shumë njerëz që angazhohen, mund të vononte procesin. Por, nga ana tjetër, kjo është një e drejtë themelore që çdo njeri, çdo maturant, çdo student duhet ta ketë.

Pika e tretë ishte rankimi i gjimnazeve sipas cilësisë, bazuar në një paketë të re të vlerësimit të jashtëm. Kjo sipas ministres do të çonte në një renditje të vërtetë dhe cilësore.

Karta e performancës është një element që shkollat bëjnë një vetëvlerësim në bazë të kritereve dhe disa treguesve të matshëm. Ne bashkë me ASCAP duhet të hartojmë një sistem e disa kritere matëse se si të vlerësojmë gjimnazet dhe renditjet e tyre. Kjo do të ndihmonte edhe vetë gjimnazet për të parë se ku janë e për të bërë përmirësime në aspekte të caktuara.