Health & Beauty

Maska me fara të lirit, “botoks” i bërë në shtëpi!

Liri është i pasur me acide yndyrore omega-3, të cilat janë të shkëlqyera për lëkurën. Një maskë për fytyrën e bërë në shtëpi me fara liri po “pushton” mediat sociale dhe influencueset e bukurisë pretendojnë se ajo bën mrekulli. Në gjuhën popullore quhet botoks i bërë në shtëpi, por pyetja është se sa efektiv është në të vërtetë. Maskat e bëra në shtëpi nuk mund të krahasohen me trajtimet e ‘vërteta’, të lëkurës, por janë të preferueshme. Maskat natyrale ndihmojnë lëkurën, si dhe çdo gjë që ruan lagështinë dhe parandalon tharjen.

Kur përdorni trajtime shtëpiake, duhet të keni kujdes për reaksione të mundshme alergjike. Nëse vëreni skuqje apo  djegie mos i përdorni më preparatet dhe maskat. Receta është e thjeshtë, zieni një grusht fara liri në ujë të thjeshtë. Lëreni përzierjen të ftohet gjatë natës dhe do të keni një strukturë xhel të pastër. Mund ta kulloni përzierjen me napë për të nxjerrë farat dhe maska juaj është gati. Një maskë xhel mund të “mbijetojë” në frigorifer për rreth një javë.

Aplikoni një shtresë të hollë të maskës në fytyrë dhe lëreni të veprojë për rreth 15 minuta ose derisa të thahet plotësisht, pas së cilës mund ta lani fytyrën me ujë të vakët. Më pas hidratoni lëkurën me kremin tuaj të preferuar të fytyrës. Në rrjetet sociale, kryesisht vajzat e reja i provojnë këto receta, gjë që i bën mirë lëkurës së tyre. Të gjitha duhet ta përshtatin kujdesin me lëkurën e tyre.