Prokuroria e Beratit në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare arrestuan shtetasin me iniciale A.M. i akuzuar për veprën penale të “Mashtrimit” dhe “Përvetësimi i titullit apo detyrës shtetërore”. Duke u prezantuar në mënyrë të rreme në Kadastrën e Beratit si prokuror në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion (SPAK), rezultoi se premtonte të ndërhynte në zgjidhjen e çështjeve apo problematikave kundrejt pagesave të parave.
48 vjeçari me banim në Tiranë, është person me precedentë kriminalë dhe i dënuar më parë për veprat penale “Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore” e “Mashtrim”.
Njoftimi zyrtar:
Sipas prokurorisë, shtetasi në fjalë, u paraqit në zyrat e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) në këtë qytet duke pretenduar se ishte prokuror në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) dhe premtonte të ndërhynte në zgjidhjen e çështjeve apo problematikave kundrejt parave.
Nga hetimet e realizuara, rezultoi se ky shtetas me precedentë kriminalë dhe i dënuar më parë për veprat penale “Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore” dhe “Mashtrimi”, iu merrte qytetarëve të ndryshëm para duke pretenduar se ishte prokuror në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion.
Si rezultat i veprimeve hetimore, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A.M., 48 vjeç banues në Tiranë, për veprat penale “Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore” dhe “Mashtrimi”.