Aktualitet

Mashtrime kompjuterike, operacion policor në Tiranë e Shkodër/17 të arrestuar!

17 persona u vunë në pranga nga Policia e Shtetit, për vepra penale të lidhura me mashtrimin kompjuterik. Blutë njoftojnë se në kuadër të këtij operacioni u ekzekutuan masat e sigurisë “Arrest në burg”, të caktuara nga Gjykata e Tiranës për këta shtetas, si dhe janë kryer kontrolle në 32 ambiente në kryeqytet e në Shkodër. Ndërsa operacioni i koduar “USDT-1” është në vijim, njoftohet se deri tani, janë sekuestruar pajisje kompjuterike, celularë e shuma të konsiderueshme parash në cilësinë e provës materiale.

Njoftimi:

Policia e Shtetit ka njoftuar se po zhvillohet sot, operacioni policor i koduar “USDT-1”.

Zhvillimi i këtij operacioni, rezultat i punës së mirorganizuar të Drejtorisë për Hetimin e Krimit Kibernetik së DPPSH-së, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë.

Deri tani, në kuadër të këtij operacioni, është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, e caktuar nga Gjykata e Tiranës, për 17 shtetas, si dhe janë kryer kontrolle në 32 ambiente në Tiranë dhe në Shkodër.

Në cilesinë e provës materiale, janë sekuestruar pajisje kompjuterike, celularë dhe shuma të konsiderueshme parash.

Operacioni është në vijim. Në përfundim të tij, Policia e Shtetit do të japë njoftim të detajuar për median dhe qytetarët.