Bota

Mashtrim me bankat, gjykata në Nju Jork gjobit me 355 milion dollarë ish-presidentin Trump!

Një gjykatës në Nju Jork vendosi kundër ish-presidentit Donald Trump, duke e gjobitur me 355 milion dollarë për atë që e quajti “skemë shumëvjeçare për të mashtruar bankat dhe të tjerë”, nëpërmjet deklaratave financiare që frynë artificialisht vlerën e pasurisë së Trump-it. Po ashtu, gjykata e ndaloi ish-presidentin të ushtrojë aktivitet biznesi në Nju Jork për tre vite.

Gjykatësi Arthur Engoron e dha vendimin pas gjyqit që zgjati dy muaj e gjysmë. Gjatë procesit kandidati kryesor republikan për president dëshmoi se është bërë “viktimë e një sistemi të manipuluar ligjor”.

Dy djemtë e tij më të mëdhenj, Donald Trump Jr. dhe Eric Trump, zv.presidentë ekzekutivë të Organizatës “Trump” u urdhëruan të paguajnë nga 4 milion dollarë dhe iu ndalua të punojnë në kompanitë në Nju Jork për dy vite. Ish-kryefinancieri Allen Weisselberg duhet të paguajë 1 milion dollarë.

Në një deklaratë pas dhënies së vendimit, ish-presidenti Donald Trump sulmoi gjykatësin dhe prokuroren. Procesin e quajti “një gjueti shtrigash” politike. Më herët, vendimit iu referua si “falsitet i plotë dhe total” në platformën e tij të medias sociale Truth Social.

Prokurorja e Nju Jorkut, Letitia James ka qenë e fiksuar për të më kapur prej vitesh. Vendimi i gjykatësit Engoron ishte i paligjshëm, një vendim joamerikan ndaj meje, familjes time dhe biznesit tim të jashtëzakonshëm.

Dënimi i ashpër është një fitore për prokuroren e Nju Jorkut, Letitia James, e zgjedhur nga radhët e demokratëve, e cila ngriti padi ndaj ish-presidentit Trump, për atë që e quajti jo thjesht “një mburrje e padëmshme”, por vite të tëra praktikash mashtruese, ndërsa ai shtonte koleksionin e godinave të larta, fushave të golfit e të tjera pronave në shumë vende të botës, të cilat e ndihmuan për të fituar famë e në vazhdim, Shtëpinë e Bardhë.

Që para dhënies së vendimit, avokatët e Trump-it patën thënë se do ta apelonin. Vendimi pritet të luajë rol të rëndësishëm në një javë të ngarkuar e të rëndësishme për kalendarin e ardhshëm gjyqësor të ish-presidentit.

Prokurorja James pati kërkuar gjoba prej 370 milion dollarësh dhe ndalimin e Trump-it e të personave të tjerë për të bërë biznes në shtetin e Nju Jorkut. Gjatë gjyqit u pyetën rreth 40 dëshmitarë, ndër ta vetë Donald Trump. Argumentat përmbyllëse u bënë më 11 janar. Procesi u drejtua nga një gjykatës i vetëm, pasi juritë gjyqësore nuk lejohen për padi të tilla në këtë shtet. As zyra e prokurores dhe as avokatët mbrojtës nuk kërkuan juri.