Auto & Moto

Maserati zbulon makinën e parë elektrike për Formula E!

Së fundmi, Maserati ka zbuluar zyrtarisht makinën e parë elektrike të garave në historinë e saj, një makinë që do të konkurrojë në Formula E. Makina njëvendëshe e quajtur Tipo Folgore u prezantua në një event special të organizuar në rrugët e Modena-s, shtëpia e Maseratit. Debutimi në Formula E vjen 96 vjet pas makinës së parë me një vend të Maserati, Tipo 26 që fitoi klasën në Targa Florio të vitit 1926 me Alfieri Maserati në timon.

Makina është e kaltër me vija të bardha, ka mbishkrimin Maserati dhe logon e kompanisë, ndërsa anash ka edhe sponsorët dhe ngjyrat e flamurit italian. Ashtu si të gjitha makinat e tjera të Formula E Gen3 që debutojnë këtë sezon, Tipo Folgore e Maserati do të fuqizohet nga motorë elektrikë që zhvillojnë 470 kuaj/fuqi dhe lejojnë një shpejtësi maksimale prej 322 km/h. Pavarësisht fuqisë më të madhe, makina e re do të peshojë 840 kg, pra 60 kg më pak se paraardhësi i saj.

Bateria më e vogël mundësohet nga rigjenerimi i përmirësuar i energjisë. Rigjenerimi maksimal është 600 kW. Frenat e pasme hidraulike janë zëvendësuar me frena rigjeneruese dhe rreth 40% e energjisë së përdorur gjatë garës do të gjenerohet nga frenimi. Makinat Gen3 janë bërë nga karboni i ricikluar, gjë që redukton gjurmën e tyre të karbonit me 10%.

Sezoni i nëntë i Formula E do të zhvillohet vitin e ardhshëm dhe shtatë prodhues makinash janë regjistruar, duke përfshirë DS Automobiles, Jaguar, Mahindra Racing, Maserati, NIO 333, Nissan dhe Porsche AG. Maserati planifikon të përdorë teknologjinë, softuerin dhe përvojën nga pistat e Formula E për makinat Folgore në rrugë. Testet parasezonale do të zhvillohen në Valencia dhe sezoni fillon më 14 janar në pistën Autodromo Hermanos Rodriguez në Meksikë. Ky do të jetë gjithashtu sezoni më i gjatë në historinë e Formula E pasi do të ketë 17 gara.