Pas mesnate apo mbrëmjet e fundvitit kudo në Shqipëri shoqërohen me shpërthime fishekzjarresh apo lëndë të tjera piroteknike, të cilat edhe pse janë ndaluar me ligj, sërish i gjen kudo.
Jo rrallë herë kanë shkaktuar dhe incidente ku të lënduar kanë mbetur shumë qytetarë, apo janë bërë shkak për krijimin e një vatre zjarri.
Por kjo situatë nuk do të vijojë më pasi Ministria e Turizmit, Ministrinë e Brendshme dhe Ministria e Shëndetësisë kanë nënshkruar një udhëzim të ri që përcakton nivelin e ri të zhurmave dhe ndalimin e përdorimit të fishekzjarreve nga qytetarët në festa private.
Për arritjen e kësaj do të angazhohet policia e shtetit dhe ajo bashkiake të cilat do të kryejnë inspektime në terren. Kushdo që do të hedhë fishekzjarre qoftë individ biznes apo institucion shtetëror do të gjobitet deri në 40 mijë lekë.
“Policia e Shtetit bashkë me policitë bashkiake do ushtrojnë kontrolle për çdo burim të zhurmës përfshirë edhe këto të fishekzjarreve dhe do ndëshkojnë me gjobë këdo, qoftë operatorët privatë ekonomik, qoftë institucione shtetërore. Krahas dënimit me gjobë, mund të vendoset edhe mbyllja e përkohshme apo e përjetshme e veprimtarisë ekonomike sipas ligjit”.
Teksa festat e fundvitit po afrojnë, ministri i Brendshëm rikujtoi se sipas ligjit lejon tregtimin e fishekzjarreve vetëm për një afat 15 ditor nga data 15 dhjetor deri në 1 janar, ndërsa përdorimi i tyre do të lejohet në periudhën 27 dhjetor deri më 1 janar.