Rajoni

Masat e Vuçiçit për Kosovën, Kurti: Janë pjesë e fushatës agresive për konflikte të reja

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se masat e presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiç për Kosovën janë pjesë e fushatës agresive për konflikte të reja. Teksa përmendi tri kushtet e tij, shefi i ekzekutivit u shpreh se janë ato racionale e paqësore.

Para mediave, Kurti foli dhe për hedhjen e koktejit të molotovit në një shtëpi në veri, ku tha se ata që bënë këtë krim do të ndiqen nga organet vendore. Shefi i ekzekutivit shtoi edhe se masat e Vuçiçit për Kosovën bëhen nga dëshpërimi dhe janë jo-paqësore. Kryeministri Albin Kurti nuk ka folur për takimin e sotëm në Bruksel.

Sot iu vu zjarri një shtëpie në lagjen Kodra e Minatorëve, në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe. Lajmin e bëri të ditur ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, si dhe e rikonfirmoi për Radion Evropa e Lirë, zv.drejtori i Policisë së Kosovës për veriun. Veton Elshani tha se zjarri u shua nga një patrullë policore e dëme pësoi vetëm dera kryesore e hyrjes.

Dyshojmë se kemi të bëjmë me zjarrëvënie dhe se ky zjarr është shkaktuar nga një koktej i molotovit. Policia është duke punuar në ndriçimin e rastit.

Përmes një postimi në Facebook, ministri Krasniqi vuri në dukje se shtëpia ishte ndërtuar nga qeveria e Kosovës, për të mbështetur kthimin e banorëve në këtë lagje multietnike. Ai akuzoi presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç për atë që e quajti “nxitje të padurimit etnik”.

Sot në Bruksel mbahet takimi i radhës i kryenegociatorëve të dialogut Kosovë-Serbi, Besnik Bislimi e Petar Petkoviç dhe që ndërmjetësohet nga Bashkimi Europian. Fokusi i tij pritet që të jetë zbatimi i marrëveshjeve të arritura. Bislimi e Petkoviç pritet që të kenë takime veç e veç me ndërmjetësin e Bashkimit Europian, Mirosllav Lajçak, por nuk ka pritshmëri për një takim mes dy kryenegociatorëve.

Para bisedimeve në kryeqendrën europiane, ndërmjetësi i Unionit, Mirosllav Lajçak vizitoi Prishtinën e Beogradin për të caktuar datën dhe axhendën e takimit të sotëm.

Nga Prishtina, Lajçak bëri të ditur se Serbia tërhoqi letrën dërguar Bllokut, me rezerva lidhur me Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve. Dhjetorin e kaluar, kryeministrja e atëhershme serbe, Ana Bërnabiç, i dërgoi Bashkimit Europian një letër ku Beogradi zyrtar shprehte rezerva për Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve, të arritur në Bruksel, si dhe Aneksin për zbatim, të dakordësuar në Ohër.

Ndërkohë, pati deklarime se gjithçka e planifikuar ishte refuzuar nga pala serbe. Ishte zv.kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, i cili më 13 shtator deklaroi se Serbia e ka refuzuar takimin në nivel kryenegociatorësh të planifikuar më 17 shtator, sipas rendit të ditës të përcaktuar nga ndërmjetësi i Bashkimit Europian, Mirosllav Lajçak.