Aktualitet

Masakrën e Dobraçit do ta hetojë SPAK-u, Prokuroria e Shkodrës heq dorë!

Masakra e Dobraçit me 4 viktima, Prokuroria e Shkodres shpall moskompetencën dhe ia kalon për hetim SPAK-ut. Organi i akuzës ka dyshime se u krye nga një grup i strukturuar kriminal, vepër penale që është kompetencë e Prokurorisë së Posaçme. Pas atentatit u gjet një makinë e djegur në zonën e Grudës së Re, aty brenda ishin dy automatikë që mendohet të jenë përdorur nga autorët.

Dyshimet u ngritën edhe më shumë pasi në makinën e dy prej viktimave Hamza Lici e Arlind Bushati ishte edhe një person tjetër që i shpëtoi sulmit. Nga disa pamje amatore mendohet se ky është Ibrahim Lici, i shumëkërkuari i drejtësisë për vrasjen e Endri Mustafës.

Bilanci i viktimave të atentatit të 30 tetorit 2024 në aksin Shkodër-Koplik, në Dobraç u rëndua kur më 3 nëntor, në Spitalin Rajonal Shkodër ndërroi jetë Bashkim Basha. I plagosur rëndë, për fat të keq nuk mundi t’iu mbijetonte plagëve nga përplasja me makinën e Hamza Licit e Arlind Bushatit, shënjestrat e masakrës.

Pasi u qëllua me breshëri automatiku, vëllai i Ibrahim Licit humbi kontrollin e automjetit dhe u përplas me motorin ku 67 vjeçari udhëtonte me bashkëshorten, Flutura Basha 56 vjeçe, e cila ashtu si 23 vjeçari Hamza Lici humbi jetën në vendngjarje ndërsa Arlind Bushati 32 vjeç, në spital.

Në njoftimin zyrtar të policisë thuhej se “nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, grupi i posaçëm hetimor po vijon intensivisht hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve”.

Në vijim të informacionit të dhënë më 30.10.2024, për ngjarjen e ndodhur në aksin  rrugor Shkodër-Koplik, në Dobraç,  ju informojmë se ka humbur jetën në Spitalin Rajonal Shkodër edhe shtetasi B.B., 67 vjeç, drejtuesi i motomjetit që u përplas nga automjeti i shtetasve H. L dhe A. B, të cilët humbën jetën si pasojë e plagëve nga të shtënat me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar. Grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, po vijon intensivisht hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes,  identifikimin dhe kapjen e autorëve.