Kreu i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi ka reaguar pas masakrës me disa të vrarë në Shkodër.
Bardhi shprehet se nëse policia do ishte e fokusuar në punën e saj, ngjarja e rëndë mund të ishte parandaluar. Sipas tij, policia është e zënë me përndjekjen e kundërshtarëve politikë të Ramës. “Është një akt kriminal nxjerrja e Policisë së Shtetit jashtë funksioni”, shkruan Bardhi.
Gazment Bardhi: Në Shkodër, në mes të qytetit, ndodh një atentat mafioz me disa të vrarë dhe disa të plagosur, ngjarje që nëse Policia do ishte e fokusuar në punën e saj mund dhe duhet të ishte parandaluar.
Ndërkohë, Policia e Shtetit është e zënë me përndjekjen politike të çdo kundërshtari të Edi Ramës, deri në absurditetin e “arrestimit” edhe të makinave.
Është një akt kriminal nxjerrja e Policisë së Shtetit jashtë funksioni! Kjo sjell cënim të sigurisë publike dhe akte të rënda si kjo e sotmja. Policia e Shtetit që supozohet të luftojë krimin, është shndërruar në mbrojtëse e krimit dhe në vegël në dorën e tij për të goditur opozitën!