Zbardhen detaje nga masakra e Dobraçit në Shkodër, me katër viktima. Mësohet se automjeti me të cilin u krye atentati më 30 tetor, rezulton të jetë vjedhur në Durrës. Për makinën është bërë edhe denoncim në polici. Nën drejtimin e prokurorisë po vijojnë hetimet, ndërsa pritet një reagim zyrtar nga Policia e Shkodrës. Të vdekur nga atentati mafioz mbetën Hamza Lici e Arlind Bushati, si dhe aksidentalisht Flutura e Bashkim Basha.
Po ashtu ka informacione se policia ka kryer kontrolle në dy klinika private pas dyshimeve se në makinën e Licit e të Bushatit ndodhej një person i tretë që mund të ketë mbetur i plagosur e pas marrjes së mjekimit u largua. Blutë sekuestruan pamjet e kamerave të sigurisë. Prova biologjike të marra në mjet u dërguan për ekzaminim.
Bilanci i viktimave u rëndua kur dje në Spitalin Rajonal Shkodër ndërroi jetë Bashkim Basha. I plagosur rëndë, për fat të keq nuk mundi u t’iu mbijetonte plagëve nga përplasja me makinën e Hamza Licit e Arlind Bushatit, shënjestrat e masakrës.
Pasi u qëllua me breshëri automatiku, vëllai i të kërkuarit Ibrahim Lici humbi kontrollin e automjetit dhe u përplas me motorin ku 67 vjeçari udhëtonte me bashkëshorten, Flutura Basha 56 vjeçe, e cila ashtu si 23 vjeçari Hamza Lici ndërroi jetë në vendngjarje ndërsa Arlind Bushati 32 vjeç, në spital. Me vdekjen e shtetasit Bashkim Basha, ngjarja tronditëse e të mërkurës së kaluar u mbyll me katër të vrarë.
Në njoftimin zyrtar të policisë thuhet se “nën drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, grupi i posaçëm hetimor po vijon intensivisht hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve”.
Në vijim të informacionit të dhënë më 30.10.2024, për ngjarjen e ndodhur në aksin rrugor Shkodër-Koplik, në Dobraç, ju informojmë se ka humbur jetën në Spitalin Rajonal Shkodër edhe shtetasi B.B., 67 vjeç, drejtuesi i motomjetit që u përplas nga automjeti i shtetasve H. L dhe A. B, të cilët humbën jetën si pasojë e plagëve nga të shtënat me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar. Grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë së Shkodrës, po vijon intensivisht hetimet për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.