Një person mbeti i vrarë dhe pesë të tjerë u plagosën në një përleshje me armë zjarri në lagjen Aktash në Prishtinë. Sipas informacioneve nga Qendra Klinike Universitare e Kosovës, tre prej të lënduarve janë në gjendje të rëndë. Ata mbahen nën mbikëqyrje policore.
Dyshohet se në konfliktin e mbrëmshëm u përfshinë dy grupe të armatosura. Rrethanat po hetohen nga policia e Kosovës. Familjet Sekiraqa dhe Capat u përplasën me armë zjarri në lagjen Aktash në kryeqytet. Shtetasi Përparim Gashi humbi jetën në vendin e ngjarjes, siç njoftohet nga mediat referuar burimeve zyrtare.
Njoftimi i policisë:
VRASJE E RËNDË NË BASHKËKRYERJE /ARMËMBAJTJE PA LEJE
Rr. Gazmend Zajmi, Prishtinë /01.09.2024 – 22:04. Një mashkull kosovar ka mbetur i vdekur si pasojë e plagëve të pësuara gjatë të shtënave me armë ndërmjet dy grupeve. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes.
Po ashtu si pasojë e shkëmbimit të zjarrit kanë mbetur të plagosur edhe 5 të dyshuar meshkuj kosovarë, të cilët janë duke u trajtuar në QKUK nën masën e arrestit dhe mbikëqyrje policore. Përveç njësive policore në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori dhe zyrtarët e Institutit të Mjekësisë Ligjore që e kanë tërhequr trupin e pajetë për obduksion.