Aktualitet

Masakra në Memaliaj, zbulohen armë në BMW-në e autorëve!

Në automjetin tip “BMW” që sot në mëngjes u gjet i djegur në fshatin Bejaj të Mallakastrës e që dyshohet se u përket autorëve të masakrës në Memaliaj, u konstatuan armë zjarri, tre kallashnikovë. Autoritetet policore vijojnë verifikimet duke bërë kqyrjen e mjetit, për të mbledhur sa më shumë të dhëna.

Ishin persona që humbën jetën në një masakër të shënuar pak para mesnate në Memaliaj. Shyqyri Kalemi 74-vjeç, Gledio Muka 36 e Marsel Çela 47 mbetën të vdekur në vend pasi u qëlluan me armë zjarri në një lokal pranë bashkisë. Muka shërbente si kamarier e ndodhej pranë tavolinës së shënjestrës ndërsa Çela, klient i lokalit u kap nga plumbat që rezultuan fatalë.

I plagosur rëndë mbeti Artur Kalemi 57-vjeç, vëllai i Shyqyriut, i cili po lufton për jetën në spitalin e Gjirokastrës. Shënjestër ishte i moshuari Shyqyri Kalemi, babai i Andrea Kalemit, kushëririt të Aleksandër Sadikajt, i vrarë me eksploziv në Tiranë, më 11 qershor 2022. Pista kryesore që po hetohet është ajo e hakmarrjes.

Këtu kemi të bëjmë me një sagë që daton mbi dy vite më parë. Andrea Kalemi ka qenë i dyshuar për vrasjen e biznesmenit Edmond Papa në Tiranë, në mes të dhjetorit të vitit 2022. Atij iu bënë dy atentate në Greqi ndërsa para se sot t’i vritej babai, njërit prej vëllezërve gjithashtu iu bë atentat në janar të këtij viti në Tiranë, por mbijetoi.

Sipas njoftimit zyrtar, në Memaliaj shkuan Forcat Speciale RENEA, ato Kombëtare të Sigurisë, si dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit. Janë ngritur postblloqe kontrollesh në të gjitha akset që mendohet se mund të përdoren prej autorëve për t’u larguar. Kontrollet po kryhen dhe në bashkëpunim me drejtoritë e policisë së qarqeve, Fier, Vlorë e Berat.

Deri tani, masakra e Memaliajt përbën dhe ngjarjen më të rëndë kriminale për këtë vit e që ngre shqetësime serioze, aq më shumë që viktima mbetën dhe dy qytetarë pa asnjë lidhje me sagën e konfliktit të përgjakshëm që po vazhdon të marrë jetë njerëzish në 25 muaj.