Aktualitet

Masakra e Velipojës, policia konfirmon arrestimin në Itali të njërit prej autorëve!

Në kërkim për masakrën e Velipojës me katër viktima, zyrtarisht jepen detaje për arrestimin në Itali të Elmilind Dylit, i përfshirë në ngjarjen tragjike të rreth dy viteve më parë ku dhe ai vetë mbeti i plagosur. Prej disa ditësh, strukturat e Policisë së Shtetit kishin informacione se në zonën e Riminit fshihej 19-vjeçari, që në kohën e masakrës ishte vetëm 17-vjeç. Në Rimini ai jetonte me të tjerë anëtarë të familjes.

Pas shkëmbimit në kohë reale të këtij informacioni, Interpol Tirana, zyra e Interforcës italiane në Shqipëri dhe Interpol Roma organizuan operacionin policor të koduar “Rimini” e që çoi në prangosjen e Elmilind Dylit, me qëllim ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

Autoritetet italiane dhanë masën e arrestit të përkohshëm derisa të kryhet ekstradimi i të riut drejt vendit tonë.

Nga Interpol Tirana, Elmilind Dyli ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Vrasja” e “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”, gjithnjë në lidhje me masakrën e Velipojës.

Në orët e para të 27 qershorit të vitit 2021, një konflikt për vendosjen e çadrave në zonën e plazhit në Velipojë shkaktoi katër të vrarë e dy të plagosur, njëri prej të cilëve i arrestuari i një dite më parë në Itali, i cili dyshohet si njëri prej autorëve të masakrës.  Ngjarja pasoi përplasjen e armatosur mes dy fiseve Gocaj e Ferracaku. Viktima mbetën vëllezërit Xhovani e Edmond Gocaj, kamarieri i hotelit të tyre Myzerim Zeneli e gjithashtu Kujtim Ferracaku. Vëllai i këtij të fundit, Hasan Ferracaku u plagos.

Kjo masakër ndodhi në oborrin e hotelit të familjes Gocaj në Velipojë të Shkodrës. Anëtarë të familjes Ferracaku bashkë me kushërinjtë e tyre kishin shkuar për t’u sqaruar në lidhje me vendosjen e çadrave në plazh, por palët debatuan e konflikti degradoi në përdorimin e armëve të zjarrit.