Aktualitet

Masakra e Memaliajt me 3 viktima e 1 të plagosur, ja çfarë dihet deri tani!

Masakra e Memaliajt, me tre viktima, dy prej të cilëve të pafajshëm, dyshime se në atentat janë përfshirë tre persona. Njëri prej tyre doli nga automjeti duke qëlluar me breshëri kallashnikovi drejt objektivit, Shyqyri Kalemit. 74-vjeçari ishte babai i Andrea Kalemit. I moshuari humbi jetën në mjediset e një lokali ku gjithashtu gjetën vdekjen një kamarier e një klient, si dhe u plagos rëndë vëllai i viktimës.

Dyshohet se kjo ngjarje kriminale lidhet me hakmarrjen, si pjesë e sagës së atyre që datojnë prej 11 qershorit 2022, kur një shpërthim i telekomanduar i mori jetën Aleksandër Sadikajt në Tiranë. Po në Tiranë, në dhjetor 2022 u vra biznesmeni nga Saranda, Edmond Papa dhe mes të përfshirëve në ekzekutim ishte Andrea Kalemi, kushëri i Sadikajt. I njohur dhe me emrin Adriatik, atij i janë bërë dy atentate në Greqi, një kur ishte me pushime e një tjetër në burg. Në janar të këtij viti, vëllai i tij, Zamir Kalemi i mbijetoi një atentati në kryeqytet.

Zinxhiri i ekzekutimeve që kulmoi mbrëmë me masakrën e Memaliajt duket se e ka pikënisjen vite më parë, në përplasjet për trafikun e kanabisit nga jugu i vendit drejt Greqisë. Besohet se autorët u informuan se shënjestra, Shyqyri Kalemi, bashkë me të vëllanë po qëndronin në mjediset e jashtme të një lokali, pranë Bashkisë Memaliaj. Nga mënyra e ekzekutimit, dyshohet se ishte vrasje me pagesë.

U sekuestruan kamerat e sigurisë të disa bizneseve përgjatë gjithë rrugës ku ndodhi atentati i mbrëmshëm, si dhe e Bashkisë Memaliaj, që kapte vendin e krimit e ku ishin të ulur tre viktimat. Grupi i posaçëm hetimor në drejtimin e Prokurorisë dhe me ekspertë të Departamentit të Policisë Kriminale vijon punën në vendngjarje për sqarimin e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Krahas objektivit të atentatit, shtetasit Shyqyri Kalemi (babai i Andrea dhe Zamir Kalemit), i cili humbi jetën, viktima kanë mbetur dhe Marsel Çela, 47 vjeç klient, si dhe kamarieri i lokalit, Gledi Muka, 36 vjeç. I plagosuri, Artur Kalemi, 57 vjeç, (vëllai i Shyqri Kalemit) u transportua në spitalin rajonal të Gjirokastrës për të marrë ndihmë mjekësore.

Atentati ndodhi mbrëmjen e djeshme rreth orës 23:20, në lagjen nr.3 në Memaliaj, në lokalin e shtetasit K.K.