Aktualitet

Masakra e Dobraçit, ministri Hoxha: Të zbardhet plotësisht!

Ndërsa sot prezantoi 12 drejtuesit e policisë në qarqe, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha foli edhe për atentatin me katër viktima në Dobraç të Shkodrës.

Një nga ngjarjet si ajo në Shkodër, duhet zbardhur plotësisht dhe autorët duhet të shkojnë prapa hekurave sa më shpejt.

Për masakrën e Dobraçit me 4 viktima, pak ditë më parë, Prokuroria e Shkodrës shpalli moskompetencën e ia kaloi për hetim SPAK-ut. Organi i akuzës ngriti dyshime se u krye nga një grup i strukturuar kriminal, vepër penale që është kompetencë e Prokurorisë së Posaçme. Pas atentatit u gjet një makinë e djegur në zonën e Grudës së Re, aty brenda ishin dy automatikë që mendohet të jenë përdorur nga autorët.

Dyshimet u ngritën edhe më shumë pasi në makinën e dy prej viktimave Hamza Lici e Arlind Bushati ishte edhe një person tjetër që i shpëtoi sulmit. Nga disa pamje amatore mendohet se ky është Ibrahim Lici, i shumëkërkuari i drejtësisë për vrasjen e Endri Mustafës.

Bilanci i viktimave të atentatit të 30 tetorit 2024 në aksin Shkodër-Koplik, në Dobraç u rëndua kur më 3 nëntor, në Spitalin Rajonal Shkodër ndërroi jetë Bashkim Basha. I plagosur rëndë, për fat të keq nuk mundi t’iu mbijetonte plagëve nga përplasja me makinën e Hamza Licit e Arlind Bushatit, shënjestrat e masakrës.

Pasi u qëllua me breshëri automatiku, vëllai i Ibrahim Licit humbi kontrollin e automjetit dhe u përplas me motorin ku 67 vjeçari udhëtonte me bashkëshorten, Flutura Basha 56 vjeçe, e cila ashtu si 23 vjeçari Hamza Lici humbi jetën në vendngjarje ndërsa Arlind Bushati 32 vjeç, në spital.

Ndërkaq, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha shtoi se policia duhet të heqë dorë nga ndjekja e rasteve si riparime të vogla në banesat në fshat duke theksuar se misioni i policisë është tjetër, nga ai i “ngacmimit” të qytetarëve nga punonjës të papërgjegjshëm.

Duhet të marrin fund praktikat e ndodhura në fshat që qytetarët ngacmohen nga punonjës të papërgjegjshëm për riparimin e një palë shkallësh apo një avllie, policia ka mision tjetër.