Bota

Masa ekstreme në Turqi; rritje e “çmendur” e vlerës së lirës kundrejt dollarit

Turqia filloi një paketë masash që synojnë parandalimin e rënies drastike të vlerës së lirës. Lira reagoi me rritje drastike kundrejt dollarit amerikan dhe euros prej rreth 25 për qind, pasi më parë kishte rënë në nivelet më të ulëta historike.

Lira riktheu vlerën gjatë natës së djeshme, pasi presidenti Recep Tayyip Erdogan njoftoi mekanizmin e ri financiar për të mbështetur valutën kombëtare.

Masat e reja vijnë pas rritjes së çmimeve dhe kursit të këmbimit, përderisa qeveria turke ndjek “modelin e ri ekonomik”, që thekson kundërshtimin ndaj interesit të lartë.

Presidenti Erdogan tha se instrumenti i ri do t’u mundësojë investitorëve të mundshëm në valutat e huaja që të marrin rezultatin e njëjtë nëse i qëndrojnë besnik lirës turke.

Këtë mëngjes, kursi i këmbimit lira/dollar ra në 11,2248 në orën 09:30 duke rikthyer pothuajse 40 për qind të vlerës kundrejt dollarit që nga mbrëmë.

“Ditë e çmendur”

Timothy Ash, një strateg i tregjeve në zhvillim nga “BlueBay Asset Management” me seli në Londër, komentoi gjithashtu rikthimin “e çmendur”.

“Ditë absolutisht e çmendur në këmbimin valutor turk sot. A ka ende kohë për të arritur vlerën e drejtë 9,50 të Robin Brooks? Nuk mendoj se kam parë ndonjëherë një paqëndrueshmëri të tillë brenda ditës në këmbimin valutor në karrierën time mbi 30-vjeçare”, tha Ash.

Mekanizmi i ri

Qeveria ka argumentuar se rritja e kursit të këmbimit injoroi bazat e forta ekonomike të Turqisë dhe fajin për çmimet e larta e adresoi te grumbulluesit dhe faktorët globalë.

Presidenti Erdogan tha se përfitimet e qasjes së re të Turqisë do të bëhen të qarta në tre deri në gjashtë muajt e ardhshëm.

Ekonomia turke shpesh herë ka befasuar me dinamikat e saj të ndryshme, ndërsa zhvillimet e fundit të jashtëzakonshme po ndodhin që nga e hëna.