Martha Stewart, një shtëpiake që u kthye në miliardere, më pas në të burgosur, më vonë në një nga figurat që ndryshoi pikëpamjet e grave dhe për gratë në Amerikë (dhe jo vetëm). 83 vjeçarja, pa qime në gjuhë, për herë të parë duket të jetë e sinqertë për jetën e saj në një dokumentar që është në Netflix këto javë. Ajo vetë nuk e pëlqen dokumentarin, sidomos skenat e fundit për të cilat ka thënë thjesht:
“E urrej!”.
Qartazi mbas një njeriu kaq të rëndësishëm, duket të qëndrojë një skuadër me njerëz që i thonë kur të bëjë çfarë. Në rastin e Znj. Stewart, kjo mungon, ajo qaset me një sinqeritet gati të panevojshëm në epokën e ‘Woke Culture’.
Dokumentaristi R.J.Cutler, i kandiduar për çmimin Oscar tregon, ose të paktën mundohet, jetën tejet interesante, me ulje dhe ngritje të vazhdueshme, të një prej grave më me ndikim në jetën e amerikanëve në dy shekuj, një njeri të vet-shpikur, e cila e ktheu nikoqirllëkune saj në një biznes multimilionësh dhe emrin e saj në një nga më të njohurit në biznesin e mënyrës së jetesës (dhe jo vetëm).
Në një intervistë me Z. Brooks Barnes të New York Times, Martha tregon se është e keqardhur për rezultatin e këtij filmi që tregon jetën e saj, pak të thuash interesante.
“R.J. i kishte dyert e hapura në çdo gjë dhe përdori shumë pak, ishte shokuese!”
Ndërsa Z.Cutler është shprehur i kënaqur me filmin e tij.
“Mbase Martha e ka të vështirë të bëjë paqe me disa aspekte të filmit ose jetës së saj. Dokumentari nuk është faqe Wikipedia, është një histori, e një qënieje të komplikuar njerëzore e cila është njëkohësisht briliante dhe me vizion, por ka edhe anën e saj më pak të pëlqyeshme” – ka thënë ai.
Nga ana tjetër, Znj. Stewart ka probleme jo aq me historinë e saj, apo rrëfimin e saj sesa me faktin që duket ‘si plakë që rri si kurrizo në kopësht’ (për shkak të një operacioni Martha ka vështirësi në të ecur) në skenat e fundit, të cilat nuk donte të ishin pjesë e dokumentarit. Po aq nuk do donte muzikë klasike si sfond, sa donte rrap, ‘Dr. Dre do e bënte muzikën e filmit dhe do ishte kaq cool’. Perfeksionistja shkon deri aty sa të thotë se nga tre kamerat që xhironin intervistën e saj, regjisori zgjodhi planin më të mërzitshëm.
Martha Stewart lindi në 3 Gusht, 1941 në Jersey City, New Jersey, SHBA. Pasioni i saj, ishte të ishte një amvisë e mrekullueshme, dhe kjo u duk qëkur ndërtoi familjen e saj (Stewart ka një vajzë nga martesa e saj e parë e cila përfundoi në divorc). Në fillim hapi një biznes kateringu, më pas një revistë me emrin e saj, në kohën e krizës së madhe të fillim viteve ’90, vetëm revista e saj rritej. Në dokumentar tregohet në detaje rrugëtimi i saj tejet këmbëngulës për të realizuar këtë ëndërr. Dhe më pas, dhjetra revista, libra, programe televizive, një rrjet të tërë kanalesh, produkte etj, do e shndërronin atë në një bizneswoman të jashtëzakonshme.
“Martha Stewart Living, ishte revista më moderne për mënyrën e jetesës, gatimin, shtëpitë në atë kohë, fotografitë tona ishin aq avantguarde sa nuk di të të them. Në dokumentar nuk janë fare. Nipi dhe mbesa ime nuk janë përmendur, as edhe me një fjali, as dashuria ime për udhëtimet. Më vjen shumë keq vërtet” – ka thënë ajo pasi pa dokumentarin.
Suksesi i Stewart, i palëkundur do të zgjaste deri në 2004, kur do të akuzohej (pa të drejtë sipas saj) për ‘Insider Trading’ – kur ajo shiti aksione të një kompanie farmaceutike, pronarin e të cilit e kishte të njohur. Kjo do të bënte që të dënohej me një vit heqje lirie, dhe e gjithë perandoria e saj të thërrmohej brenda pak muajsh. Dokumentari merret gjatë me këtë fazë të jetës së saj – mbase më shumë sesa ajo do kishte dashur.
Sidoqoftë, me një jetë kaq të mbushur, të një personazhi kaq kompleks, është e vështirë ti mbulosh të gjitha. Njësoj si me dokumentarin e Sylvester Stallone, mbase do të ishte më e udhës një dokumentar me seri si ai i David Beckham i cili arrin të ndriçojë të gjitha skutat e protagonistit.
Në fund të ditës, 83 vjeçarja nuk ka asgjë për të humbur… çdo gjë në vitet e saj ka qënë fitore dhe humbje të vazhdueshme, qoftë në jetën e saj profesionale, po aq edhe në atë personale. Përtej gjërave që, si figurë tejet publike, i dimë për të, filmi tregon edhe për gjëra tejet personale të Znj. Stewart, si ‘tradhëtia’ e saj me një djalosh gjatë kohës kur ishte në muaj mjalti në Firence.
“Nuk do e quaja tradhëti”
-thotë nën zë Martha, e cila ka një aftësi të çuditshme për t’u dukur viktima, edhe në ato që mund të cilësohen si gabimet e saj në jetë.
E quajtur ‘Influencerja’ e parë në planet, Znj. Stewart është vërtet një testament i përpjekjes për të çuar gocat dhe gratë në një tjetër shkallë në shoqërinë amerikane. Duke hequr paralelet me atë që sapo ndodhi atje, betejën Harris – Trump, të cilën shumë po e përkthejnë si një çështje gjinie më shumë se politikash dokumentari e ka aftësinë për të treguar një grua të fortë e cila luftoi betejat e saja, të drejta e të padrejta dhe qëndron sërish me këmbët e saja.
Për këtë të fundit është dakord edhe Martha.
“Martha” është në Netflix.