Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur se nuk e konsideron zgjidhje përsëritjen e marrëveshjes për emigrantët mes Italisë dhe Shqipërisë në Ballkan, në mënyrë që të luftohet emigracioni i paligjshëm.
Në një intervistë për Euractiv, kryeministri i Kosovës pohon se kjo mund të ngrejë shqetësime për të drejtat e njeriut.
“Nëse qendra riatdhesimi të ngjashme me ato në Shqipëri mund të ndërtohen në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, si mund të sigurojmë që të respektohen të drejtat e individëve të burgosur? , tha ai, duke shtuar se qendra të tilla do të rëndojnë ndërgjegjen e qytetarëve të Ballkanit dhe atyre të Bashkimit Evropian.
Kurti pranon se nëse e dikton një situatë emergjente, mund të konsiderohet edhe pranim i përkohshëm i emigrantëve.
“Këtu po flasim për qenie njerëzore, të cilët duhet të trajtohen me kujdes”, u shpreh Kurti.
Artikulli kujton se si pas tërheqjes së SHBA-së nga Afganistani dhe rënies së Kabulit nga talebanët në gusht 2021, Kosova – si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut – priti disa qindra afganë të evakuuar nga ushtria amerikane, duke i strehuar në bazat e NATO-s.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von Der Leyen, pak ditë më parë la të kuptohej se e sheh si shembull suksesi marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë, madje në një letër dërguar krerëve të vendeve anëtare u bën thirrje për ta përdorur atë si model për zgjidhjen e krizave të shkaktuara nga fluksi i emigrantëve të paligjshëm.
Interesim të veçantë për marrëveshjen në shtator shfaqi edhe kryeministri britanik Keir Starmer, i cili gjatë takimit me homologen italiane, Giorgia Meloni, tha se marrëveshja që do të shqyrtojë disa nga kërkesat për azil të emigrantëve të shpëtuar në det duke u përpjekur të arrijnë në tokë italiane. ka marrë vëmendjen e Londrës zyrtare, e cila do të presë të shohë rezultatet e saj.