Një anije italiane me grupin e parë të emigrantëve, sot në mëngjes arriti në Portin e Shëngjinit duke shënuar fillimin e zbatimit të një plani të diskutueshëm për të përpunuar mijëra kërkesa për strehim jashtë Italisë. Qeveria italiane ka ngritur dy qendra pritëse në vendin tonë, në të parën marrëveshje të këtij lloji, sipas të cilës, një vend i Bashkimit Europian i dërgon emigrantët në një vend që nuk është pjesë e Bllokut, në përpjekje për të penguar emigracionin e paligjshëm.
Anija “Libra” e marinës ushtarake italiane u ankorua në portin e Shëngjinit me 16 emigrantë meshkuj, të cilët u shpëtuan në det të dielën. Dhjetë prej tyre janë nga Bangladeshi dhe 6 nga Egjipti, vende që konsiderohen si “të sigurta” nga Italia.
Procedura përfshin kontrollin e tyre në Shëngjin dhe më pas dërgimin në brendësi të vendit në Gjadër po të Lezhës e ku do të qëndrojnë derisa të përpunohen kërkesat e tyre. Pasi kjo të kryhet, ose do të dërgohen në Itali, nëse përgjigja ndaj kërkesës për strehim është pozitive, ose do të kthehen në shtëpi, nëse kërkesa iu refuzohet.
Mjediset në Shëngjin dhe në Gjadër mbikëqyren nga personeli italian. Numri i përgjithshëm i emigrantëve të pranishëm në një kohë në Shqipëri nuk mund të jetë më shumë se 3 mijë vetë sipas marrëveshjes. Italia ka thënë se vetëm burrat “jo të cënueshëm” që vijnë nga vendet e klasifikuara si “të sigurta” do të dërgohen në Shqipëri.
Aktualisht janë 21 vende të tilla në listën italiane. Vitin e kaluar, 56 mijë e 588 emigrantë mbërritën në Itali nga vetëm katër prej këtyre vendeve: Bangladeshi, Egjipti, Bregu i Fildishtë dhe Tunizia. Shumica ikin shpejt nga qendrat e pritjes dhe shkojnë në Europën Veriore më të pasur.
Referuar akordit, deri në 36 mijë emigrantë mund të dërgohen për përpunim në territorin shqiptar çdo vit nga Italia, për sa kohë që ata vijnë nga lista e vendeve të sigurta. Për emigrantët nga këto vende ka kufizime të ashpra për përfitimin e azilit. Qendrat do të strehojnë vetëm meshkuj jo të mitur ndërsa personat e cënueshëm si gratë, fëmijët, të moshuarit dhe ata që janë të sëmurë ose viktima të torturës do të strehohen në Itali. Familjet nuk do të ndahen.
Marrëveshja 5-vjeçare e nënshkruar nëntorin e kaluar nga kryeministrat Rama e Meloni është përshëndetur nga disa shtete që ashtu si Italia, përballen me barrë të rëndë refugjatësh.