Aktualitet Politikë

Marrëveshja me Italinë për emigrantët, Rama: Na e kanë kërkuar edhe të tjerë, kemi thënë ‘Jo’

Kryeministri Edi Rama i mbylli edhe një herë derën mundësisë së marrjes së azilkërkuesve në Shqipëri nga vende të tjera, përmes marrëveshjeve si ajo e nënshkruar me Italinë.

“E kam shpjeguar disa herë pse Shqipëria e ka bërë këtë marrëveshje dhe si e shohim ne këtë dukuri. Së pari, po, na është kërkuar nga të tjerë dhe kemi thënë jo.

Së dyti, të gjithë duhet të kuptojnë se marrëdhënia jonë me Italinë është mjaft e veçantë dhe shkon pas mijëra vjet dhe po kështu shkon pas në kohë me një volum domethënëse ndërveprimi gjatë më shumë se 30 viteve të fundit, që kur dolëm nga gropa e ferrit e regjimit më mizor komunist në Europë.

Mos harroni ne nuk jemi vend i BE, por vend europian, nuk është certifikatë e marrë në Bruksel. Gjeografia jonë flet shumë për atë që kemi bërë me Italinë dhe nëse ka ndonjë gjë për t’u përpunuar dhe zhvilluar mbi këtë model duhet të jetë në nivelet e epërme të BE.

Ne jemi shumë të prirur të bëjmë çdo gjë që është e nevojshme për të qenë një shtet krenar anëtar i BE”, deklaroi Rama nga Luksemburgu.