Aktualitet

Marrëveshja me Italinë për emigrantët, Gazment Bardhi kërkon seancë publike në Kushtetuese!

Përmes një shkrese të dërguar një ditë më parë, grupi parlamentar i Partisë Demokratike i kërkon Gjykatës Kushtetuese që seanca për marrëveshjen e emigrantëve me Italinë, të zhvillohet e hapur për publikun.

Në shkresën drejtuar këtij institucioni dhe që mban firmën e kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, argumentohet fakti se seanca duhet të jetë e hapur për mediat dhe publikun, duke theksuar se “mbart një rëndësi të veçantë”.

Në shkresën e dorëzuar nga Bardhi, argumentohet:

Në praktikën e konsoliduar të Gjykatës të gjitha çështjet me kërkesë jo më pak se 1/5 e deputetëve janë zhvilluar në seancë plenare publike për shkak se mbartin një interes të veçantë publik.

Për më tepër, në përmbajtje të kërkesës, kërkuesit kanë arsyetuar gjerësisht se Këshilli i Ministrave të Shqipërisë veproi në mungesë konsultimit dhe transparence në fazën e negocimit dhe nënshkrimit të kësaj marrëveshje qoftë me aktorët institucionalë vendas, qoftë me ata ndërkombëtarë, ashtu edhe me median, shoqërinë civile dhe qytetarët, vijon argumentimi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, që në fund kërkon që seanca në fjalë të jetë publike.

Gjykata Kushtetuese ka vendosur që seanca për kërkesën e depozituar nga Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të mbahet më 18 janar, ora 10:00.