Bota

Mark Rutte emërohet shef i ri i NATO-s!

Aleatët sot emëruan kryeministrin e Holandës, Mark Rutte, si shefin e ardhshëm të NATO-s, siç njoftoi aleanca ushtarake. Hapi ishte thjesht një formalitet pasi rivali i tij i vetëm për këtë post, presidenti rumun Klaus Iohannis, javën e kaluar, njoftoi Tërheqjen nga gara. Iohannis kishte dështuar të siguronte mbështetje.

Rutte do ta marrë detyrën e sekretarit të Përgjithshëm të aleancës ushtarake nga 1 tetori 2024, kur i mbaron mandati drejtuesit aktual, Jens Stoltenberg.

Stoltenberg, i cili ka 10 vjet në krye të NATO-s, tha se po e lë aleancën në “duar të sigurta” dhe e quajti Rutten një lider të “fuqishëm transatlantik”.

E mirëpres vendimin e aleatëve të NATO-s për ta zgjedhur Mark Rutten si pasuesin tim. Mark është një transatlantik i mirëfilltë, një lider i fuqishëm. I uroj atij sukses teksa ne vazhdojmë ta forcojmë NATO-n për sfidat e tanishme dhe të ardhshme!

Po ashtu, Rutte njihet për lidhjet me Kosovën ndër vite ndërsa vizitën më të fundit atje e zhvilloi korrikun e kaluar. Kjo në kohën kur tensionet me Serbinë, vendi i kishte në kulm për shkak se në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, pushtetin e morën kryetarët e zgjedhur shqiptarë.

Holanda e tij ishte në mesin e shteteve që e njohën pavarësinë e Kosovës brenda muajit të parë pas shpalljes së saj, në vitin 2008. Në atë kohë, kryeministër ishte Jan Peter Balkenende. Rutte e mori detyrën e kryeministrit mbi dy vjet më vonë, në tetor të 2010-ës.

Në dhjetor të vitit 2013, ai priti në zyrë presidenten e atëhershme të Kosovës, Atifete Jahjaga, të cilës i shprehu mbështetjen e Holandës për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit mes Kosovës dhe BE-së. Kjo marrëveshje, e para kontraktuale mes dy palëve, u firmos në vitin 2015.

Qeveria e Ruttes, për një periudhë të caktuar, ishte kundërshtare e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, së bashku me të Francës. Një qëndrim i tillë nxiti dhjetëra deputetë të Parlamentit Europian t’i shkruanin letër Ruttes dhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron në vitin 2020, për t’iu kërkuar dritën jeshile për lëvizjen e lirë të kosovarëve. Nga ajo kohë, procesi kaloi në disa faza dhe vizat u hoqën më 1 janar 2024.