Aktualitet

“Marewood”, Angli-Shqipëri/Kapen kokainë, armë dhe para të krimit të organizuar!

Pas suksesit në uljen me 90% të numrit të shqiptarëve të cilët në Britani shkojnë ilegalisht, Task-Forca Ndërministeriale Shqipëri-Britani e Madhe, e ngritur në vitin 2022, tani është fokusuar në luftën ndaj krimit të organizuar. Ministria e Brendshme, Home Office thotë:

Përmes një bashkëpunimi të përbashkët, të paprecedentë, Britania e Madhe dhe Shqipëria, përmes agjencive ligjzbatuese kanë rritur partneritetin e tyre operacional kundër krimit të organizuar të përfshirë në transportin e parave, armëve dhe të drogës.

Gazetari i Top Channel-it, Muhamed Veliu ka mësuar se gjatë shtatë muajve të fundit, Departamenti i Policisë Kriminale, ai i Policisë Kufitare dhe Migracionit në Shqipëri, bashkë me NCA-në britanike, Agjencinë Kombëtare Kundër Krimit janë përfshirë në operacionin e koduar “Marewood”.

Nga kontrollet në të gjitha pikat kufitare shqiptare tokësore, detare dhe ajrore, si dhe në aeroportet e Londrës, janë kapur disa mijëra stërlina, të përfituara nga kriminaliteti dhe po silleshin drejt Shqipërisë.

Falë shkëmbimit të informacionit me NCA-në e kontrolleve të shtuara në kuadër të operacionit “Marewood”, në pikën kufitare të Portit të Durrësit u kapën 7 kilogramë kokainë, si dhe armë zjarri, me destinacion final Britaninë e Madhe.

Në disa raste, në pikën kufitare të Hanit të Hotit, si dhe në Aeroportin e Rinasit janë sekuestruar para cash në paund teksa tentohej të futeshin në Shqipëri. Për llogari të operacionit “Marewood”, në vendin tonë e në Britaninë e Madhe janë disa persona të arrestuar e të akuzuar për vepra të ndryshme penale, në pritje të gjykimit në gjykatat shqiptare dhe ato britanike.

Home Office thotë se më 16 tetor 2024, sekretarja britanike për Punët e Brendshme, Yvette Cooper dhe ministri i Brendshëm shqiptar, Ervin Hoxha, “patën diskutime konstruktive duke u dakordësuar për ardhjen në Tiranë të disa zyrtarëve të lartë të Home Office-it, përpara Krishtlindjes, për të thelluar bashkëpunimin kundër krimit të organizuar”.

Angela Eagle, ministre për Sigurinë e Kufinjve dhe Azilin deklaroi:

Britania e Madhe dhe Shqipëria po dëshmojmë vullnet në shkatërrimin e grupeve të krimit të organizuar, të cilët rekrutojnë njerëz në nevojë e sjellin mizori në vendet tona.

Punën e Task-Forcës, ministri Hoxha e komentoi si “të suksesshme” duke theksuar:

Jemi ekstremisht të kënaqur për çfarë është arritur në këtë bashkëpunim mes agjencive  shqiptare dhe britanike në përballjen me krimin e organizuar. Kemi arsye të forta të besojmë se ky bashkëpunim do të forcohet më tej duke e çuar përpara./Top Channel