Aktualitet Sport

“Maratona e Tiranës”, njihuni me fituesit/Mes tyre edhe Luiza Gega!

Më shumë se 4 mijë persona nga Shqipëria dhe nga të tjera vende të botës sot iu bashkuan “Maratonës së Tiranës” në këtë edicion të 7-të e që pati 40% më shumë garues se një vit më parë e 47 vende në garë. Ndërsa për herë të parë u përfaqësua në Maratonën e Tiranës, Kenia rrëmbeu tre çmimet e para.

Fituesit sipas kategorive:

42 k
Femra
1 Natalia Semenovych
2 Hellen Jepkosgei Kimutai
3 Sonia Cekini
Meshkuj
1 Ezekiel Kipkorir
2 Laban Cheruiyot
3 Hosea Kiplagat Tuei

21 k
Femra
1 Luiza Gega
2 Glorius Jepkirui
3 Ronah Nyaboke Nyabochoa
Meshkuj
1 Hillary Kiptum Maiyo Kimaiyo
2 Kennedy Kimutai Kaptila
3 Nicolo Bedini

10 km
Femra
1 Gresa Bakraci
2 Redia Dauti
3 Anila Skora
Meshkuj
1 Panagiotis Karaiskos
2 Bledar Mesi
3 Krzysztof Szymanowski

42k shqiptarë

1 Ilir Këllezi
2 Renato Dorzi
3 Altin Vorpsi

Në ndarjen e çmimeve të fituesve, kryebashkiaku Erion Veliaj u shpreh se me evente të këtyre përmasave, me pjesëmarrje të dhjetëra kombësive, sot Tirana ndihet si çdo metropol tjetër europian.

Ishte fantastike, një ndjesi e jashtëzakonshme! Kemi pasur pjesëmarrjen më të lartë edhe ndërkombëtarisht, 47 vende. Kur mendon që Ukraina e Izraeli janë në luftë dhe ne kemi pasur vrapues edhe nga këto dy vende, kjo është një kartolinë e jashtëzakonshme për Tiranën dhe besoj që është “qershia mbi tortë” e një viti ku Tirana ishte Kryeqyteti Europian i Sportit, ndaj jam vërtet krenar. Sigurisht që jam krenar për Luizën, për kenianët e për të gjithë ata që kanë thyer rekorde, por mbi të gjitha, unë jam shumë i lumtur që në këtë vit sporti, kemi pasur djem dhe vajza pa fund që janë regjistruar në kurset sportive e merren me jetë aktive. Sot, Tirana është dukur siç çdo qytet europian. Sot edhe në Amsterdam e në Lisbonë u mbajtën maratona dhe fakti që Tirana ndihet si çdo qytet tjetër në Europë është diçka e jashtëzakonshme.

Gjithçka ishte në të njëjtat standarde europiane të kompeticioneve të tilla.

Këtë vit kishte më shumë pika uji, më shumë pika argëtimi. Beteja nuk është vetëm me muskujt, është edhe betejë mendore, kështu që çdo tifoz i ri, çdo argëtim të inkurajon të ecësh më tej. Kemi pasur një bashkëpunim fantastik dhe me Federatën e Atletikës, me të gjithë skuadrën e gjyqtarëve. Edhe kur mendoj që edhe në maratona si në Nju Jork, Berlin, Boston bëjnë hile, fakti që nuk ka asnjë hile, fakti që çdo gjë është e kronometruar, fakti që çdo gjë është e digjitalizuar, fakti që humbet vetëm një portofol dhe gjendet për 7 minuta tek i zoti, vërtet më bën të ndjehem shumë krenar për Tiranën dhe për atë që është bërë ky qytet. Eshtë pjesë e një stofi shumë europian.

Veliaj falënderoi qytetarët që iu bashkuan thirrjes së bashkisë për të lënë të lira arteriet kryesore të Tiranës për vrapuesit e maratonës.

Për Luiza Gegën, kampionen që këtë herë mori pjesë në half maratonë, ku fitoi dhe çmimin e parë, ky vit ishte po ashtu një tjetër emocion.

Gjithmonë kam shumë emocion, sidomos kur garoj në vendin tim sepse ka një tifozllëk gjatë rrugës e mundohem t’i përshëndes ata që ulërasin për mua, aq më tepër që kam një përgjegjësi që vërtet dua t’i gëzoj me pjesëmarrjen time. Jam shumë e lumtur se do të dal përsëri te ndërkombëtarët. Ka qenë një superorganizim dhe jam shumë e lumtur që gjithnjë e më shumë, maratona po bëhet gjithnjë e më e madhe. Kjo vërtet që më lumturon jashtë mase.