Luiza Gega e ka pasuruar palmaresin e saj të jashtëzakonshëm me një tjetër rekord kombëtar. Ikona e atletikës shqiptare ka fituar dje “Maratonën e Prishtinës 2024”.
Gega e ndali kronometrin në kohën 2 orë 35 minuta e 7 sekonda, për të merituar shkallën më të lartë të podiumit. Ndonëse maratona nuk është disiplina e saj e preferuar, Luiza bëri diferencën në garën e gjatë dhe të lodhshme të 42 kilometrave, për të merituar medaljen e artë në eventin e zhvilluar në kryeqytetin e Kosovës. Një garë që sipas organizatorëve pa të konkurronin rreth 1200 vrapues nga shtete të ndryshme.
Pas aktivitetit në Prishtinë, Luiza Gega u shfaq e kënaqur me rezultatin e arritur, teksa e komentoi kështu paraqitjen e saj: “Maratona siç dihet është një disiplinë e panjohur për mua, pasi ende nuk jam gati që ta kem sigurinë e madhe se si do të shkojë. Gjithsesi, e shijova shumë edhe pse me dukej sikur gara nuk kishte fund. Më shumë në fakt mu duk si stërvitje, sepse mbas 10 kilometrave mu desh të vrapoja vetëm, pasi vajzat e ulën shumë ritmin, kështu që vendosa të vrapoja vetëm.
Faleminderit Maratonës së Prishtinës dhe uroj që të shihemi përsëri vitin tjetër. Tani fokusi i radhës për mua është Maratona e Tiranës, garë ku unë mezi pres të konkurroj çdo vit, aq më tepër që këtë sezon do të vrapoj në distancën e plotë 42 kilometra”, u shpreh kampionia e atletikës shqiptare.
Për sa i përket Maratonës së Tiranës, këtë vit do të mbahet edicioni i tetë, me garën që do të zhvillohet më datë 20 tetor. Si zakonisht do të konkurrohet në katër kategori: 42k, 21k, 10k dhe “We too”.