Aktualitet Sport

“Marathon Enkelana” në Pogradec, 650 garues nga 32 vende!

Në qytetin e Pogradecit nesër zhvillohet “Marathon Enkelana”, në edicionin e III-të, si dhe me pjesëmarrjen e 650 garuesve. Edhe për këtë vit, kjo maratonë do të ketë dy disiplina; 21.195 m Lin-Pogradec e 11.500 m Pogradec-Tushemisht-Pogradec. Pjesë e garave pritet që të jenë pjesëmarrës nga 32 vende të botës, mes tyre profesionistë e amatorë.

Për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti, strukturat e Policisë së Shtetit njoftojnë marrjen e masave në lidhje me ruajtjen e rendit publik, krijimin e parametrave të sigurisë rrugore, sigurimin e qarkullimit të lirë e pa rreziqe për garuesit, si dhe parandalimin e ngjarjeve rrugore.

Konkretisht do të ketë bllokim të rrugëve si më poshtë: më 27 Korrik prej orës 18⁵⁰ deri në orën 20:30 aksi Lin-Pogradec (nisja e garës nga qendra e fshatit Lin) sportistët do të devijojnë në kilometrin e 10-të garës për të vrapuar më pas në korsinë e biçikletave.

Gara 11.500 m, do të nisë nga qendra e Pogradecit prej orës 19:00.

Do të jetë e bllokuar deri në orën 21⁰⁰; Bulevardi “Reshit Çollaku”; Bulevardi “Kajo Karafili”; Rruga deri tek Karburanti “Gega”; Aksi Pogradec-Tushemisht si edhe rruga përgjatë liqenit në drejt Vilave dhe devijojnë tek rruga e zjarrfikëses për të shkuar drejt finishit në qendër.

Për mbarëvajtjen e aktivitetit sportiv në Pogradec do të jenë të angazhuara forcat e Policisë së rendit, ato të Policisë Rrugore, efektivët e Policisë Bashkiake, MZSH-së, autoambulanca, etj. Që të mos krijohen pengesa, përdoruesve të rrugës iu kërkohen të shmangin lëvizjet në orare të caktuara.

Policia kërkon mirëkuptimin e drejtuesve të automjeteve dhe qytetarëve që të evitojnë lëvizjet me makine në oraret e përmendura për të mos krijuar anomali; Pogradec-Lin ora 18:50 deri në 20:30 dhe Pogradec-Tushemisht-Pogradec 19:00-21:00.