Rajoni

Maqedoni e Veriut, rivotime në disa qendra votimi më 22 maj!

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut caktoi datën 22 maj për rivotimin në shtatë qendra zgjedhore pasi Gjykata Administrative hodhi poshtë ankesat e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe Frontit Evropian.

Partitë e koalicionit u ankuan kundër mundësisë së përsëritjes së procesit ndërsa vendimin e KSHZ-së e quajtën “skenar që BDI-ja dhe Fronti Evropian të dëmtohen, duke i marrë të paktën një deri në dy deputetë”.

Përveç nënkryetares Ditmire Shehu, e cila nuk mori pjesë në seancë, të gjithë anëtarët e KSHZ-së votuan që të përsëritet votimi në një qendër të komunës Zhelinë pranë Tetovës. Bëhet fjalë për zonën e gjashtë zgjedhore, ku Fronti Evropian fitoi nëntë deputetë, ndërsa koalicioni “Vlen”, shtatë.

Rivotimi rrezikon që Frontit Evropian t’i merret një deputet dhe ai t’i shkojë koalicionit Vlen, duke pasur parasysh ndikimin që drejtues të këtij koalicioni kanë konkretisht në fshatin Llërcë, ku u konfirmua rivotimi. Më pak se dyqind vota do të përcaktojnë nëse BDI-ja dhe koalicioni i tij do ta humbasë apo ruajë këtë vend në parlament.

Rivotime do të ketë edhe në gjashtë qendra të tjera në Krushevë, Dollnen, Strugë e Ohër, si pjesë e zonës së gjashtë zgjedhore. Edhe këtu koalicioni Fronti Evropian rrezikon të humbasë një deputet dhe atë ta fitojë Lidhja Social-Demokrate ose VMRO-DPMNE/ja.

BDI-ja dhe partnerët e saj vlerësojnë se të gjitha partitë janë bërë bashkë për ta dëmtuar sepse në zgjedhjet parlamentare të 8 majit doli partia e dytë në vend me 19 ligjvënës, LSDM-ja me një më pak ndërsa koalicioni “Vlen” me 13 vende nga 120 që ka parlamenti.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti tha se ata janë fituesit e zgjedhjeve të 8 majit, por po bëhen marrëveshje në dëm të shqiptarëve, me synim rrezikimin e marrëdhëniet ndëretnike.

Rivotimi ka një prapaskenë të rrezikshme, por nuk do të lejohet që të realizohet strategjia e nxitjes së tensioneve.

Ndërkohë, koalicioni “Vlen: ku bëjnë pjesë Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike, Alternativa dhe fraksioni i Aleancës për Shqiptarët, akuzojnë BDI-në për manipulime në zgjedhjet parlamentare të para dhjetë ditëve, me blerje votash dhe presion e kërcënime ndaj votuesve.

“Vlen” është përfshirë në bisedimeve intensive me partinë VMRO-DPMNE për formimin e qeverisë së re. Arben Taravari theksoi se të premten që vjen mund të zyrtarizohet koalicioni i ri qeveritar.

Zgjedhjet e fundit presidenciale dhe parlamentare në Maqedoninë e Veriut, ku VMRO-ja shënoi fitore të thellë, janë ndjekur me interes jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë. Analistët në Shkup e shikojnë VMRO-në nacionaliste si frenuese të proceseve të integrimit të vendit në BE, me retorikën e zyrtarëve të saj të lartë kundër marrëveshjeve me Greqinë e Bullgarinë, që janë kyçe për rrugën e vendit të vogël ballkanik drejt Brukselit.