Në Klubin e Deputetëve sot u zhvillua takimi i kryeministrit maqedonas, Dimitar Kovaçevski me liderin e “Aleancës për shqiptarët”, Ziadin Sela lidhur me propozimin francez për fillim të negociatave të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian. Sela deklaroi:
E morëm sot propozimin, të cilin sigurisht që do ta shqyrtojmë në mënyrë të detajuar edhe në organet e partisë, sidomos në kryesinë qendrore, që të lihet sa më pak hapësirë për keqinterpretim.
Unë edhe disa ditë më parë, para se të mbahej samiti në BE, kam bërë apel tek subjektet politike dhe politikanët, që ta marrin me më tepër seriozitet propozimin francez sepse tani nuk bëhet më fjalë për vetëm për pranimin ose jo të propozimit francez, bëhet fjalë për dilemën e madhe nëse do të vazhdojë Maqedonia e Veriut në rrugëtimin drejt BE-së apo do të ndërpritet ky rrugëtim. ASH është në anën e vazhdimit të këtij rrugëtimi europian, jemi në anën e moskrijimit të alternativave të tjera çfarëdo qofshin, qofshin me emrin Ballkani i Hapur. Alternativa e vetme e Maqedonisë së Veriut dhe rajonit duhet të jetë vetëm Bashkimi Europian.
Konsultimet e hapura mbi propozimin francez filluan të premten me partnerët e koalicionit në qeveri. Disa prej tyre u deklaruan në favor të dokumentit të presidentit Macron, që zgjidh mosmarrëveshjet Shkup-Sofje dhe hap rrugën e anëtarësimit europian për Maqedoninë e Veriut e gjithashtu Shqipërinë. Kryeministri mbajti edhe takime konsultative me trupin diplomatik, shoqërinë civile, me përfaqësues të opinionit të ekspertëve e median.
Një ditë më parë, kryeministri Kovaçevski pati një takim edhe me liderin e partisë më të madhe opozitare Hristian Mickoski. Për VMRO-DPMNE/në, propozimi francez “është i papranueshëm”. Mickoski i propozoi Kovaçevskit dy opsione: ta refuzojë propozimin dhe VMRO-DPMNE të tërhiqet nga kërkesa për zgjedhje të parakohshme parlamentare ose nëse Kovaçevski beson se me propozimin është siguruar identiteti, atëherë duhet të fshihen katër pika. Po ashtu, propozimi francez dje u shqyrtua edhe nga Këshilli i Sigurisë, i mbledhur nën drejtimin e presidentit Stevo Pendarovski.