Bota

Manjati australian i medias Rupert Murdoch dorëhiqet pas 70-vjetësh si president i “Fox e News Corp”!

Pas 70 vjetësh, manjati australian i medias Rupert Murdoch ka njoftuar tërheqjen e tij nga kryesimi i News Corp dhe Fox. Miliarderi 92-vjeçar do të marrë titullin e presidentit të nderit, ndërsa djali i tij Lachlan do të jetë në krye të të dy kompanive. Në një shënim, News Corp shpjegon se Murdoch, i cili mbushi 92 vjeç në mars, po largohet nga kompania botuese e cila përfshin ndër botimet e saj Wall Street Journal, New York Post, Dow Jones dhe Barron në SHBA dhe Times, Sunday Times dhe tabloidi The Sun në Mbretërinë e Bashkuar.

Djali i tij Lachlan do të bëhet president i vetëm i News Corp, duke vazhduar të shërbejë si kryetar ekzekutiv dhe CEO i Fox Corporation. Lachlan Murdoch u shpreh se:

Në emër të Bordeve të Drejtorëve të Fox and News Corp, ekipeve menaxheriale dhe të gjithë aksionarëve që kanë përfituar nga puna e tij, e përgëzoj babanë tim për karrierën e tij të jashtëzakonshme 70-vjeçare. E falënderojmë për vizionin e tij, shpirtin e tij pionier, vendosmërinë e tij e palëkundur dhe trashëgiminë e qëndrueshme që ai la pas për kompanitë që ai themeloi. Ne jemi mirënjohës që në rolin e tij si Kryetar Nderi ai do të vazhdojë të japë këshilla të paçmueshme për të dyja kompanitë.

Rikujtojmë, se ndonëse 92-vjeç, pas katër martesave të dështuara dhe një të anuluar, miliarderi Rupert Murdoch duket se ka gjetur dashurinë e re. Mediave rozë nuk u kanë shpëtuar fotot më të fundit teksa manjati është duke kaluar disa ditë pushime në një jahte me studiuesen 66-vjeçare Elena Zhukova.