Burgjet e trashëguara nga komunizmi do të mbyllen, siç dhe u shpreh ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja në Komisionin e Ligjeve. Po ashtu, Manja bëri të ditur se së shpejti do të ndërtohet një paraburgim i ri në Kukës.
Fondet janë marrë me Aktin Normativ të nëntorit dhe sot që flasim, për paraburgimin e Kukësit, është çështje orësh që Drejtoria e Burgjeve do ta hedhë në sistem për t’iu nënshtruar procedurave të prokurimit publik. Paraburgimi i ri në Kukës do të ofrojë kushte shumë të mira e do t’i shërbejë jo vetëm zonës, por edhe Kosovës. Me ndërtimin e paraburgimit të Kukësit e njësisë së të dënuarve do të krijohet mundësia që të dënuarit ta vuajnë dënimin edhe në Kukës. Do t’i ofrojmë mundësinë në përputhje me ligjin ta vuajnë dënimin afër shtëpive.
Ministri Ulsi Manja prezantoi projektbuxhetin për vitin e ardhshëm. Me 14.3 milion lekë të parashikuara, Manja tha se Ministria e Drejtësisë do të realizojë misionin e saj përmes 9 programeve buxhetore dhe peshën më të madhe, me gati 56% të buxhetit e zë programi i Burgjeve.
Sot në një deklaratë për media, Sali Berisha premtoi se në diskutimet për buxhetin, opozita do të synojë “transparencë të plotë në mbrojtje të interesave të qytetarëve shqiptarë” dhe siç tha kryetari i Partisë Demokratike “reagim adekuat ndaj hajdutëve”.
Në rast se ju kujtohet, buxheti i vitit të kaluar u bë famoz në mbarë botën, se u votua për 5 minuta. Pra, mori damkë përfundimtare nga opozita. Akoma nuk mund të them se cila do të jetë taktika por taktika jonë do të synojë, transparencë të plotë, mbrojtje të interesave të qytetarëve shqiptarë, si dhe reagim adekuat ndaj hajdutëve, që kanë ndarë vetëm për lubinë 15% të shpenzimeve të buxhetit në Shqipëri apo 2.5 herë më tepër se për arsimin dhe shëndetësinë. Pa le që bujqësia nuk figuron askund.
Në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, ditë më parë, ministri i Financave, Petrit Malaj prezantoi të ardhurat dhe shpenzimet e planifikuara për projektbuxhetin e shtetit për vitin 2025. Malaj theksoi se objektiva kryesore ka sigurimin e një rritjeje ekonomike të qëndrueshme, krijimin e mundësive për punësim e zhvillim, si dhe konsolidimin fiskal, që synon uljen e borxhit publik dhe ruajtjen e parametrave makroekonomikë e fiskalë në nivele pozitive.
Të ardhurat buxhetore për vitin 2025 janë parashikuar në 754.6 miliardë lekë, ose 28.8% e PBB-së, një rritje prej 40.6 miliardë lekësh krahasuar me planin e rishikuar për vitin 2024. Ndërkaq, shpenzimet buxhetore për vitin 2025 janë planifikuar në 822.7 miliardë lekë, me një rritje prej 51.4 miliardë lekësh në krahasim me vitin 2024.