Bota Tech

Manipulimi në presidencialet amerikane, frikë nga IA!

Një video e Joe Biden-it duke sharë apo një imazh i Donald Trump-it duke u arrestuar… pra të tilla përmbajtje të falsifikuara duke përdorur Inteligjencën Artificiale (IA) po nxisin një valë keqinformimi që po shkakton shqetësim përpara zgjedhjeve presidenciale amerikane.

Këto imazhe të rreme që synojnë të drejtojnë votuesit drejt një kampi politik, nxisin tensionet në një kontekst tashmë ultra të polarizuar në SHBA. Ka pasur thirrje për gjigantët e teknologjisë që të forcojnë masat e tyre mbrojtëse përpara zgjedhjeve të 5 nëntorit, pasi disa rrjete sociale kanë hequr disa nga masat e tyre të moderimit të përmbajtjes.

Javën e kaluar, shefi i X-it, Elon Musk, u përball me një breshëri kritikash pasi ndau një “deepfake”, një video të manipuluar për 192 milion abonentët e tij. Aty shfaqet Kamala Harris dhe një zë që imiton atë të kandidates demokrate, e cila e përshkruan Joe Biden-in si person që “nuk di fare si ta menaxhojë vendin”.

Në postim nuk kishte asnjë tregues se bëhej fjalë për një parodi, përveç një emoji për të qeshur.

Disa përdorues, të pavetëdijshëm se ishte një video e rreme, mund t’i merrnin këto deklarata të rreme në vlerën nominale, thonë studiuesit.

Në një tjetër video që qarkullon në internet, Joe Biden duket se mallkon kritikët e tij, duke përfshirë përdorimin e sharjeve anti-LGBTQ+.

Këto pamje janë marrë në fakt nga një fjalim i presidentit në të cilin ai denonconte dhunën politike. Grupi PBS që transmetoi fjalimin, denoncoi përdorimin e logos së tij në këtë video të manipuluar.

Këta shembuj të fundit janë shumë përfaqësues të mënyrës sesi “deepfakes” do të përdoren në politikë në të ardhmen, tha Lucas Hansen, bashkëthemelues i organizatës jofitimprurëse CivAI.

Edhe nëse dezinformimi i fuqizuar nga IA është një shqetësim, përdorimi më i mundshëm do të jenë imazhet dhe videot e modifikuara, me qëllim gjenerimin e zemërimit dhe forcimit të tensionit politik.

Hansen tregoi se një “chatbot”-i, softuer i krijuar për të gjeneruar përgjigje të shpejta ndaj pyetjeve, ka aftësi për të prodhuar masivisht mesazhe false.  Vëzhguesit paralajmërojnë se ky lloj dezinformimi në shkallë të gjerë rrezikon të thellojë frikën e votuesve për besueshmërinë e procesit zgjedhor.

Më shumë se gjysma e amerikanëve besojnë se dezinformatat e gjeneruara nga IA do të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale, sipas një sondazhi të vitit të kaluar nga “Axios” dhe “Morning Consult”.

Rreth një e treta e amerikanëve thonë se do t’u besojnë më pak rezultateve për shkak të IA.

Disa gjigantë të teknologjisë kanë thënë se po punojnë në sisteme për të etiketuar çdo përmbajtje të krijuar nga Inteligjenca Artificiale. Në një letër drejtuar CEO-ve të këtyre kompanive, më shumë se 200 grupe ose organizata kërkuan përpjekje urgjente për të forcuar luftën kundër dezinformatave të gjeneruara nga IA, duke përfshirë ndalimin e “deepfakes” në klipet e fushatës dhe vënien para përmbajtjes elektorale të verifikuar.

Një nga nënshkruesit e letrës, OJQ-ja “Free Press”, tha se kishte “vënë re pak thelb” në angazhimet e bëra nga platformat në këtë vit zgjedhor.

Ajo që kemi sot është një mjedis toksik në internet ku gënjeshtrat (…) mbjellin konfuzion midis votuesve, tha Nora Benavidez, shefja e OJQ-së. Kjo është një pikë kthese në zgjedhjet tona. Menaxherët e platformës duhet të lëvizin shpejt për të forcuar dhe zbatuar politikat e tyre kundër falsifikimit.