Art & Kulturë Çdo gjë është ashtu si duket

Manifesta, organizimi që vjen për herë të parë në Ballkanin Perëndimor me qendër Prishtinën!

Ashtu si çdo episod i ‘Çdo gjë është ashtu si duket’ ku nga java në javë ka tema nga më të ndryshmet edhe këtë herë një emision shumë i veçantë me disa të ftuar ku u fol për ‘Manifesta’.  Manifesta, Bienalja Nomade Evropiane vjen në Prishtinë me qëllim fuqizimin e qytetarëve për të rikthyer hapësirën publike tek ata përmes artit dhe arkitekturës.

Manifesta, Bienalja Europiane Nomade, ndryshon vendin çdo dy vjet. E themeluar në fillim të viteve 1990, Manifesta rimendon lidhjen midis kulturës dhe shoqërisë civile, duke hulumtuar dhe nxitur ndryshime pozitive shoqërore përmes kulturës bashkëkohore në dialog të ngushtë me sferën shoqërore të qytetit dhe komuniteteve të tij.

Manifesta vazhdimisht ka befasuar me zgjedhjen e vendeve mikpritëse, të cilat pasqyrojnë ADN-në gjithnjë e në ndryshim të Evropës për të hedhur dritë mbi një botë që përcaktohet nga ndryshimi i imperativave etike dhe estetike. Manifesta, si një ngjarje që përsëritet, është shëndërruar vetë në një instrument multi – shtresor dhe gjithëpërfshirës të projekteve të angazhimit qytetar.

Ky organizim synon të mbështetë qytetarët e Kosovës në ambiciet e tyre për të rikthyer hapësirat publike dhe për të rimenduar të ardhmen e kryeqytetit të tyre si një metropol me mendje të hapur në Ballkan dhe në Evropë përmes zhvillimit të një institucioni të ri kulturor për Kosovën dhe rajonin e saj. Manifesta do të hapet nga 22 korriku deri më 30 tetor 2022.

E ftuar për të folur lidhur me këtë ishte Catherine Nichols, një studiuese e arteve dhe letrave, kuratore dhe shkrimtare me qendër në Berlin. Që nga përfundimi i doktoraturës në Universitetin e Uellsit të Ri Jugor në Sydney, Australi, në vitin 2001 me një tezë mbi Hans Magnus Enzensberger, ajo ka kuruar një gamë të gjerë ekspozitash të historisë kulturore në institucione anembanë Gjermanisë mbi tema që shtrihen nga Reformimi deri te pasionet. nga dielli tek seksualiteti. Ajo ka botuar gjerësisht për artin bashkëkohor, si dhe ka redaktuar shumë katalogë dhe libra. Aktualisht është Ndërmjetësuese Kreative e Manifesta 14 Prishtina dhe kuratore në Nationalgalerie Hamburger Bahnhof, Berlin. Gjithashtu të ftuar në studio ishin dhe Donjeta Murati, studiuese ku aktualisht është Koordinatore Programi dhe Hulumtimi në Manifesta 14 Prishtinë dhe Dardan Hoti, ka nëntë vite përvojë në gazetari, duke mbuluar kryesisht të drejtat e njeriut dhe LGBT+.

Fillimisht, Catherina na tregoi se kjo është hera e parë që ‘Manifesta’ zhvillohet në një vend të Ballkanit Perëndimor.

Catherine: Po është hera e parë në Ballkanin Perëndimor. Ka qenë në vendet e Europës Lindore, këtu është hera e parë.

Dardan: Në fillim ka qenë surprizë për të gjithë njerëzit pasi nuk kanë pasur shumë njohuri. Zakonisht i dëgjoj që i thonë festival, megjithatë që kur kemi filluar duke qenë sa më shumë prezent në media për të sqaruar se çfarë është  ‘Manifesta’. Është një ndër eventet më të mëdha që është zhvilluar në Prishtinë apo gjithë Kosovën.

Donjeta: Manifesta është angazhuar dhe skena e artit të Shqipërisë, ndërsa ka shumë artistë që po marrin pjesë edhe përmes veprave të ndryshme edhe me punë te reja me Manifesta në Prishtinë.

Catherine: Edhe në qyetet e tjera kemi pasur modele te këtyre Manifesteve dhe kam kërkuar, kam konsultuar arkitekturën, kam kërkuar se çfarë ka nevojë qyeteti në të vërtetë dhe ato që kishte nevojë dhe kur dëgjova për historinë që kishte, kisha shumë dëshirë të merrja pjesë. Sa e pasur ishte me artistë, me aktivistë dhe mendova se ishte diçka ku mund të kontribuoja. Prishtina ka qenë një vend shumë tërheqës për mua. Na është dashur të jemi shumë të ndjeshëm nga ana kulturore për të kuptuar gjithçka që na rrethonte dhe njerëzit që mund t’i bënim pyetje duhet të ishim të kujdesshëm dhe ndonjëherë është e lehtë, ndonjëherë nuk është. Është e rëndësishme të flasësh për një audiencë të përgjithshme, është e rëndësishme të flasësh për persona me ‘background-e’ të ndryshme.