Mandati i Olta Xhaçkës, debate në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve. Shefi i grupit socialist, Niko Peleshi tha se u zbatua vendimi i Gjykatës Kushtetuese duke e çuar mandatin në seancë. Më tej, theksoi se një opinion nga Komisioni i Venecias do t’i vlejë të gjithëve.
Natyrisht që kemi zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke e çuar mandatin në seancë. Kemi përmbushur të gjithë detyrimin. Nuk bëhet fjalë vetëm për mandatin e një deputeti, por është i nevojshëm një qartësim për të gjitha rastet që mund të ndodhin në të ardhmen.
Ne besojmë se një opinion nga Komisioni i Venecias do të na vlejë të gjithëve, sidomos në një situatë konflikti mes dy të drejtave: diskrecionit të deputetëve për të shprehur vullnetin e lirë në seancë dhe detyrimit për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo qartësi do të na vlejë neve dhe gjithashtu do t’ju vlejë edhe juve.
Por, kolegu demokrat i Peleshit, Gazment Bardhi akuzoi kryeparlamentaren Elisa Spiropali se “hodhi në erë Gjykatën Kushtetuese”.
Ju jeni kryetarja e dytë që keni vendosur të hidhni në erë Gjykatën Kushtetuese, duke minuar në këtë mënyrë edhe bashkëjetesën me opozitën. Ne i jemi referuar Kushtetutës dhe drejtësisë për çështjen e mandatit të Olta Xhaçkës. Ju na e keni mohuar këtë të drejtë dhe keni grisur vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Venecia është organ këshillimor dhe ju e dini shumë mirë se ai nuk ka efekt detyrues. Kjo sjellje rrëzon gjithë propagandën tuaj se gjasme jeni konstruktiv e jeni të hapur. Kjo është propagandë pasi veprimet tuaja po na pamundësojnë detyrën.
Nuk ka ndodhur kurrë që Kuvendi të mos zbatojë një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Gjykata ju kërkoi që ta miratonit me shpejtësi pasi nuk ka kohë në dispozicion. Praktika juaj gjasme po pyesim Venecian, synon të shpëtojë mandatin me procedurë. Këtu nuk ka të bëjë me individin pasi për ne ikën një Xhaçkë dhe vjen një tjetër, këtu ka të bëje me parimet kushtetuese.
Votimin e kishit orientuar, mos bëni sikur e latë në dorën e deputetëve. E dinim tri orë para si do të silleshit, ca abstenim e ca kundër. Ishte orientuar grisja e vendimeve dhe shkelmimi i Gjykatës Kushtetuese. Po e përsëris, po minoni bashkëjetesën me opozitën! Opozita i është drejtuar Drejtësisë, ju nuk pyesni për vendimet.