Aktualitet Politikë

Mandati i Xhaçkës/ Bardhi kërkoi seancë të jashtëzakonshme. Spiropali: Vendimi në shtator

Këshilli i Legjislacionit do të mblidhet jashtë sesionit parlamentar ne fund te gushtit per mandatin e deputetes Olta Xhaçka.

Në mbledhjen e thirrur nga kryeparlamentarja Elisa Spiropali do të shqyrtohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese që e urdhëroi Kuvendin, t’i dërgojë kësaj gjykate mandatin e Olta Xhaçkës për të vendosur nëse është në konflikt interesi apo jo.

“Këshilli për Legjislacionin do të mblidhet për të shqyrtuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. ju njoftojmë se në datën 27 Gusht, ora 11:00, në Kryesinë e Kuvendit, do të zhvillohet jashtë sesionit parlamentar, mbledhja e Këshillit për Legjislacionin.” njofton Kuvendi përmes një urdhri që ka lëshuar kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali.

Thirrja e Këshillit të Legjislacionit në periudhë pushimi për deputetët u bë pas kërkesës së grupit parlamentar të partisë Demokratike.

Por kreu i grupit Gazment Bardhi reagoi, duke thënë se deputetët duhet të mblidheshin brenda 3 ditësh nga paraqitja e kërkesës.

‘Kryetarja e Kuvendit ka miratuar një urdhër antikushtetues. Kryetarja e Kuvendit ka detyrimin kushtetues dhe ligjor të thërrasë sesionin e jashtëzakonshëm të Kuvendit brenda 3 ditëve nga paraqitja e kërkesës së 1/5 së deputetëve, për të zbatuar pa vonesa vendimin e Gjykatës Kushtetuese.’ tha Bardhi. Ai e mbështet argumentin tek një pjesë e vendimit të Gjykatës Kushtetuese ku thuhet se, “Kuvendi nuk ka vepruar në përputhje me Kushtetutën për sa kohë çështjen e ekzekutimit të vendimit të saj ia ka nënshtruar vlerësimit të Këshillit për Legjislacionin dhe Këshillit për Mandatet, struktura në të cilat shumica parlamentare ka vënë në dyshim fuqinë detyruese të vendimit të Gjykatës, ka thirrur ekspert të jashtëm dhe, më pas, ka vlerësuar se çështja duhet t’i përcillet për votim seancës plenare”.

Spiropali në anën tjetër përmes një sqarimi edhe ajo me terma juridik reagoi duke thënë se vendimet e Gjykatës Kushtetuese, që kanë efekt në legjislacion, merren në shqyrtim nga Këshilli për Legjislacionin brenda 30 ditëve pas botimit të tyre në Fletoren Zyrtare.

“Këshilli analizon dhe diskuton, sipas përcaktimeve të bëra në këtë Rregullore, efektet e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për çështjet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni. Këshilli harton një raport dhe ia paraqet atë Kryetarit të Kuvendit”, shkruan ajo

Sipas saj, është Këshilli për Legjislacionin i cili analizon dhe diskuton efektet e vendimeve të Gjykatës Kushtetues për çështjen e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të kompetencës ku Kuvendi është palë.

“Për rrjedhojë, kërkesa e paraqitur nga 1/5 e deputetëve për thirrje të Kuvendit në sesion të jashtëzakonshëm, në kushtet e mungesës së një akti të Këshillit për Legjislacionin, (raport/projektvendim), i cili i duhet paraqitur Kryetarit të Kuvendit dhe më tej seancës plenare, e bën të pamundur zbatimin”, thotë Spiropali

“Gjithashtu, ju informoj se shqyrtimi në seancë do të bëhet menjëherë me fillimin e sesionit të ri parlamentar, pasi të jetë përcjellë raporti i Këshillit për Legjislacionin”, shkruan ajo.

Ndërkohë afatet janë ngushtuar për ta cuar këtë cështje në Kushtetuese.

Kërkesa për papajtueshmëri të funksionit të deputetit mund të paraqitet në Gjykatën Kushtetuese për sa kohë vazhdon mandati i deputetit, por jo më vonë se 6 muaj para përfundimit të mandatit dhe jo më vonë se 3 muaj nga konstatimi i papajtueshmërisë.