Sot pas mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste, kryetari Niko Peleshi iu tha mediave se lidhur me mandatin e deputetes Olta Xhaçka “do të bëjnë çfarë të këshillojë Komisoni i Venecias”.
Pavarësisht se mendimet e Komisionit të Venecias nuk janë detyruese, ne do t’i zbatojmë.
I pyetur nga gazetarët lidhur me qëndrimin e deputetëve të PS-së në seancën e kaluar plenare për rastin “Xhaçka”, Peleshi u shpreh:
Nga njëra anë kemi të drejtën e deputetit që të votojë ashtu siç e mendon ai dhe nga ana tjetër, kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese që është për t’u zbatuar.
Sa i përket vendimmarrjes politike të grupit parlamentar, Niko Peleshi theksoi:
Ne e bëmë pjesën që na takonte, e çuam menjëherë nga Këshilli i Legjislacionit në seancë. Kjo ishte pjesa politike e jona.
Pyetjes nëse a është një nga deputetët që ka abstenuar, Peleshi iu përgjigj:
Po, unë kam votuar abstenim sepse unë bëj pjesë në atë grup deputetësh, të cilët janë të paqartë për prevalencën, pra kush prevalon vullneti i lirë i çdo deputeti apo vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Meqenëse kemi këtë lloj konkurrence të së drejtave, ne i jemi drejtuar Komisionit të Venecias.
Po ashtu, kryetari i grupit socialist nënvizoi:
Pas insistimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila disponoi me një vendim të dytë e shumë eksplicit, patjetër u krijua kjo paqartësi. Nga njëra anë, vendimi insistues i Gjykatës Kushtetuese dhe nga ana tjetër, mungesa e mekanizmit për të detyruar çdo deputet që të ngrejë dorën ashtu siç e mendon vetë.
Më 13 shtator, Partia Socialiste abstenoi mbi vendimin e Kushtetueses për t’i dërguar gjykatës çështjen e mandatit të deputetes socialiste Olta Xhaçka. Kryeparlamentarja Elisa Spiropali paralajmëroi se do t’i drejtohet Komisionit të Venecias. Reaguan dhe ndërkombëtarët.
Çështja “Xhaçka” e ka pikënisjen nga qershori i vitit 2022 kur opozita kërkoi heqjen e mandatit të saj me argumentin se është në konflikt interesi për shkak të titullit “investitor strategjik” që Artan Gaçi, bashkëshorti i Xhaçkës pati marrë me vendim të qeverisë ku e shoqja ishte ministre.
Për llogari të një hetimi të nisur, SPAK-u vuri nën sekuestro 5.512 m2 truall të Gaçit. Po ashtu, po hetohet mënyra si është marrë pronësia e kësaj toke që më pas iu shit ish-deputetit socialist.