Rajoni

Mali i Zi, qeveria premton forcimin e luftës kundër krimit të organizuar!

Qeveria e Malit të Zi është zotuar edhe një herë të përshpejtojë luftën kundër krimit të organizuar, pas një shpërthimi vdekjeprurës të enjten e dy ditëve më parë dhe që nga policia shihet si një larje hesapesh midis grupeve kriminale rivale.

Si pjesë e ofertës së tyre për anëtarësim në Bashkimin Europian, autoritetet malazeze kanë premtuar në mënyrë të përsëritur se do të trajtojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar që rrënojnë këtë vend të vogël ballkanik.

Këshilli i Sigurisë Kombëtare deklaroi se ka miratuar një sërë masash, me synimin për një “përgjigje urgjente dhe vendimtare për forcimin e luftës kundër krimit të organizuar”, por pa i detajuar ato.

Lufta kundër krimit të organizuar kërkon një përgjigje të përbashkët dhe vendimtare, tha qeveria në një deklaratë.

Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare erdhi një ditë pas një shpërthimi, i cili shkaktoi dy të vdekur dhe tre të plagosur në afërsi të një qendre sportive në Cetinje.

Dy personat e vrarë ishin anëtarë të një grupi të organizuar kriminal, siç u shpreh drejtori i policisë së Malit të Zi, Aleksandar Radoviç.

Sipas mediave vendase, viktimat ishin anëtarë të klanit “Skaljari”, një ndër ata më me ndikim në Malin e Zi. Vendi i vogël ballkanik, bregdeti Adriatik i të cilit është i populluar nga rusët dhe turistët, sheh grupe të shumta mafioze që përleshen në territorin e tij.

Cetinja, një ish-kryeqendër mbretërore e ndërtuar në male është një nga bastionet e këtyre grupeve kriminale, të cilat qeveria nuk është në gjendje t’i shpërndajë, pavarësisht presionit nga Bashkimi Europian.