Pas një seance plenare maratonë, në orët e para të mëngjesit, Parlamenti i Malit të Zi zgjodhi kabinetin e kryeministrit Millojko Spajiç. Qeveria mori mbështetjen e 46 deputetëve nga partia e Spajiçit, Lëvizja Europa Tani, nga forca pro-ruse Fronti Demokratik e shpërbërë së fundi, si edhe nga Demokratët, Partia Popullore Socialiste e partitë shqiptare.
Të gjithë këto subjekte do të drejtojnë ministri në qeverinë e re, përveç Frontit Demokratik që sipas marrëveshjes, pritet të hyjë në ekzekutiv pas një viti. Qeveria numëron 18 ministri e pesë zëvendëskryeministra.
Në momentin e votimit, 19 deputetë opozitarë u shprehën kundër, një abstenoi dhe pesë munguan në seancë. Qeveria e re e Malit të Zi i jep fund drejtimit me mandat teknik të Dritan Abazoviçit, kabineti i të cilit u rrëzua me mocion mosbesimi në gusht të vitit të kaluar.
Para deputetëve, Spajiç tha:
Anëtarësimi në Bashkimi Europian, anëtarësimi aktiv dhe i besueshëm në NATO, përmirësimi i lidhjeve rajonale e marrja e një roli më aktiv në organizatat e ndryshme do të jenë katër prioritetet kryesore të ekzekutivit.
Koalicioni i qendrës, Europa Tani fitoi zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura në qershor, por nuk arriti të siguronte mjaftueshëm sa të krijonte i vetëm qeverinë. Aleanca pro-serbe dhe pro-ruse Për një Mal të Zi më të Mirë, që kryesohet nga Andrija Mandiç ra dakord që të mbështeste zgjedhjen e Spajiçit, me kusht që Mandiç të zgjidhej kryetar i Parlamentit.
Gjatë fushatës zgjedhore, Mandiç ka bërë thirrje për raporte më të ngushta me Rusinë, duke kritikuar anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, si dhe ka folur kundër referendumit të vitit 2006 që çoi në shkëputjen e vendit nga Serbia.
Pasi u zgjodh kryeparlamentar, Mandiç u zotua për të punuar drejt tejkalimit të ndasive. Kritikët thanë se zgjedhja e tij në postin e kryeparlamentarit do të pengojë ambiciet e Malit të Zi për anëtarësim në BE.
Mali i Zi i është bashkuar NATO-s në vitin 2007 dhe po punon drejt anëtarësimit në BE. Nga viti 2002, Podgorica përdor euron si monedhë, edhe pse shteti nuk është pjesë e Eurozonës.
Pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022, Mali i Zi iu bashkua sanksioneve të BE-së kundër Moskës, duke dëbuar disa diplomatë rusë dhe i ofroi ndihmë Kievit. Moska e ka futur Malin e Zi në listën e “shteteve jomiqësore”. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, sot pritet të takohet me Spajiçin në Podgoricë.