Dikur legjendë e boksit, por që ekonomikisht përfundoi “i hedhur në tapet” dhe as nuk u dorëzua, erdhi si “mbreti i marijuanës” e tani mund të bëhet “ambasadori i kanabisit për Malavin”. A do të jetë titulli i Mike Tyson-it, i cili në Amerikë është përfshirë në biznesin e kanabisit terapeutik dhe ka ngritur një serë në fermën e tij në Kaliforni? Mjafton të pranojë kërkesën e ministrit të Bujqësisë në vendin afrikan, Lobin Low, pasi kërkon të afrojë imazhin e ish-boksierit në industrinë vendase.
Motivi zyrtar:
Të vetëm, nuk mund t’ia dalim në një sektor kaq kompleks, na nevojitet një partner.
Por, gjërat nuk janë kaq të thjeshta sa duken. Një pjesë e mirë e shoqërisë civile në Malavi është kundër Tyson-it.
Center for Public Accountability:
Tyson është djegur për të kaluarën kriminale. Nuk arrijmë të kuptojmë se përse Malavi kërkon të ketë si ambasador të bimëve narkotike për qëllime mjekësore, një të dënuar si përdhunues? Përse pikërisht tani kur përpjekjet për të frenuar dhunën kundër grave, janë pjesë e axhendës së qeverisë?
Megjithatë, qeveria e vendit afrikan që është një prej prodhuesve më të mëdhenj të kanabisit në pjesën jugore të Afrikës e mendon ndryshe, nisur nga fitimet. Në Malavi kultivohet lloji “Malavi Gold” e vitin e kaluar, parlamenti legalizoi kultivimin dhe përpunimin e kanabisit për qëllime industriale e mjekësore. Sipas BBC-së, që i referohet një burimi të ministrisë së Bujqësisë, United States Cannabis Association ka nisur negociatat për të lehtësuar bisedimet me Tyson-in. Kjo, me shpresën për të tërhequr investitorë të rëndësishëm.
Dhe zyrtarët në Malavi e kanë ndarë mendjen sepse nuk njohin një figurë më të përshtatshme se ish-kampioni botëror i peshave të rënda e që tani si biznesmen, po fiton mbi 400 mijë euro në muaj me kanabisin. Vetëm se shifrës i duhet hequr shuma prej 33 mijë eurosh, që Mike i ka për konsum personal të lëndës narkotike.