Bota

Makina përplas një turmë njerëzish në Seul, 9 persona humbin jetën!

Të paktën nëntë persona kanë mbetur të vdekur pasi një veturë është përplasur me një turmë njerëzish të hënën në kryeqytetin e Koresë së Jugut, Seul, kanë bërë të ditur autoritetet.

Rasti ka ndodhur rreth orës 21:30 me orën lokale, sipas tyre, raporton BBC.

Siç raportohet nga agjencia e lajmeve Yonhap, një burrë që besohet të jetë rreth të 60-ave është futur me veturën e tij në këmbësorë që prisnin në një ndalesë trafiku.

Të paktën katër persona të tjerë janë dërguar në spital.

Policia thotë se po heton ngjarjen, por paralajmëron se numri i viktimave mund të rritet.

Sipas mediave lokale, makina po lëvizte në drejtim të gabuar dhe u përplas me dy automjete të tjera para se të vinte në kontakt me këmbësorët.

Shoferi, i cili u arrestua në vendngjarje, mësohet se i ka thënë policisë se vetura ka përshpejtuar papritur.

Gjashtë persona vdiqën në vendngjarje, ndërsa tre të tjerë vdiqën më vonë nga plagët e marra.

Në vitin 2022, këmbësorët në Korenë e Jugut përbënin 35% të të gjitha vdekjeve në rrugë, një përqindje e lartë në krahasim me vendet e tjera të OECD.