Bota

Makina godet turmën, 15 të lënduar në qytetin në perëndim të Polonisë!

Raportimet nga Szczecin pranë kufirit perëndimor të Polonisë, flisnin sot pasdite për një sulm të tmerrshëm me makinë në qendër të qytetit me shumë të plagosur.

Zyrtarët polakë thanë se ishin rreth 15 të plagosur disa prej të cilëve më rëndë, kur një makinë hyri mes kalimtarëve në qendrën e qytetit.

Mediat në qytetin veriperëndimor Szczecin, qendra e provincës Zachodniopomorskie thonin se operacionet e shpëtimit vijonin me urgjencë për të dërguar të plagosurit në spitale.

 Ata shtonin se në ngjarjen e rëndë në sheshin Rodla, mes të plagosurve kishte dhe fëmijë.

Remiza.pl, faqja e zjarrfikësave polakë, shkruante se autori kishte tentuar fillimisht të largohej me automjetin e tij, por më pas ishte përplasur me një tjetër mjet dhe u ndalua nga anëtarë të publikut.

Pamjet nga vendngjarja tregonin mjete të shumta ndihme në vendin e aksidentit di dhe automjete të përplasura e bllokime të trafikut.

Deputeti vendas Piotr Sobolewski, shkruante se incidenti kishte ndaluar trafikun në qytet.

Raportimet për ngjarjen tronditëse thonin se shoferi kishte goditur një grup njerëzish, duke lënë kalimtarët të shtrirë përtokë, teksa kishte vijuar rrugën.

Zhvillime të tjera priten në orët në vijim.